Ka përfunduar ndeshja e fundit e xhiros së dytë në Superligën e Kosovës në futboll, ku Drenica ka marr një fitore të madhe në udhëtim kundër Dukagjinit.
Kjo ndeshje ka përfunduar me rezultatin 2-1 në të mirë të kuqezinjve.
Golat për Drenicën i realizuan Osman Mëziu nga penalltia, dhe mbrojtësi Harallamb Qaqi, kurse për skuadrën e vendase shënoi Ardin Dallku.
Pas ndeshjes është deklaruar trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, i cili nuk ishte i kënaqur me gjyqtarët në këtë ndeshje.
“Kemi ardhur për tri pikë në Klinë. E kemi ditur që do të jetë shumë e vështirë, por besoj që djemtë i kanë kryer të gjitha detyrat ashtu siç jemi marrë vesh. Pas rezultatit 2-0, gjyqtarit i ka dal loja nga dora, u pa edhe tek goli i shënuar nga Dukagjini sepse nuk ishte korner”.
“Mendoj që një gjyqtar i tillë në ndeshje të vështira siç janë të rëndësishme për pikë nuk di të menaxhojë, u pa edhe sot kjo. Pavarësisht se fituam ndeshjen, gjyqtari nuk guxon të jetë akteri kryesor, por duhet ta kryej punën ashtu siç duhet”.
“Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një, nuk kemi asnjë objektiv. Objektivi do të vjen ndeshje pas ndeshje”, ka thënë Lushtaku. /Telegrafi/