Telegrafi

Trajneri i Bashkimit, Bajra flet për fillimin e përgatitjeve dhe synimet e skuadrës

(Foto: basketbolli.com/Ardit Qeriqi)

Skuadrat e basketbollit kanë filluar përgatitjet për edicionin e ri. Turneu i Superkupës do të zhvillohet nga 21 deri më 25 tetor, kurse edicioni i ri i Superligës do të zhvillohet më 28/29 tetor.

Një nga skuadrat më me traditë në basketbollin e Kosovës është Bashkimi. Prizrenasit kanë filluar përgatitjet për edicionin e ri.

Trajneri i kësaj skuadre, Illmen Bajra, ka folur për faqen zyrtare të FBK-së lidhur me rrjedhën e përgatitjeve.

“Kemi filluar përgatitjet që disa ditë edhe pse vonë, por besoj se do të ngritemi, si në aspektin fizik dhe atë taktik. Ditët në vijim ekipi do të kompletohet me ardhjen e lojtarëve të rinj dhe përforcimeve. Kemi vazhduar kontratën me lojtarë vendorë nga edicioni i kaluar, duke e mbajtur bazën e ekipit, po ashtu kemi kontraktuar disa lojtarë të rinj me potencial”, është shprehur Bajra.

Skuadra duket e motivuar për edicionin e ri. “Presim që në vazhdim të punojmë sa më shumë dhe të shfaqim më të mirën e mundshme. Djemtë janë mjaft të motivuar për punë, pasi që është bërë një kohë bukur e gjatë që na ka munguar palestra dhe ushtrimet me ekip”, shtoi tutje trajneri prizrenas.

Ai ka folur edhe për synimet e prizrenasve. “Synimet e Bashkimit janë që të arrij sa më lartë në tabelë, por me theks të veçantë që t’i jepet hapësirë lojtarëve vendorë e sidomos atyre të rinj, sepse ne duhet të formojmë një të ardhme për ekipin e Bashkimit me bazë të lojtarëve vendorë”, përfundoi Illmen Bajra.