Trajneri i APOEL Nicosia, Marinos Ouzounidis ka folur pas fitores ndaj Gjilanit duke deklaruar se për një moment ka pasur frikë për ta humbur edhe ndeshjen.
Nën-kampioni i Kosovës, Gjilani është eliminuar nga Liga e Evropës pasi ka humbur 2:0 ndaj APOEL-it në takimin e raundit të parë kualifikues.
“Kishim nevojë për kualifikimin, por mënyra se si do ta bënim këtë do të ishte sekondare. Ajo që është e sigurt është se ne mund ta mbyllnim ndeshjen më herët”, ka thënë fillimisht trajneri nga Greqia.
“Kishim edhe mungesa, por e mira është që kemi fituar sonte”.
“Kishim frikë se ndeshja mund të shkonte më keq, pas humbjes së penalltisë, por djelmoshat treguan seriozitet dhe gjithçka shkoi mirë”, përfundoi trajneri i APOEL-it.
Golat e takimit u arritën në minutën 102 me Georgios Efrem për 0-1 dhe 106-të nga Dieumerci Ndongala për 0-2. /Telegrafi/