Duket se ata në këtë fillim nuk po mund ta përballojnë presionin e një ndeshje dhe reagimet e tyre janë më të ashpra sesa lejohet. Në këto katër javët e para komisionit disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës shumë më shumë telashe i kanë sjellë trajnerët sesa lojtarët.
Gjithsej 7 trajnerë ishin në listën e tyre, katër nga Superliga dhe tre nga Liga e parë. I vetmi trajner që tash për tash është dënuar është Bekim Isufi i Hajvalisë, ndërsa me qortim kanë shpëtuar Ismet Munishi i Llamkos Kosovës, Jeton Bislimi i Ferizajt e Afrim Tovërlani i Prishtinës, ky i fundit për shkak të deklaratave të cilësuara si jokorrekte ndaj kolegut të tij Bylbyl Sokoli.
Nuk përjashtohet këtu as ish-trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku. Te liga e parë, nëpër disiplinor kanë kaluar Naim Kodraliu i KEK-ut, Luan Tabaku i Vëllaznimit dhe Haki Bllacaku i Kosovës (P). Sipas të parit të gjyqtarëve të Kosovës, Përparim Hasani, reagimet vend e pavend të trajnerëve po sjellin shpesh situata jo të mira në fushë.
“Mendoj se pa e fuqizuar kodin e mirësjelljes nuk bën. Unë i bëj thirrje komisionit disiplinor që në përpikëri ta zbatojë atë kod, pasi që disa trajner po i tejkalojnë normat. Trajnerët duhet të merren me organizimin e skuadrës në fushë e assesi me gjyqtarë, me gjyqtarë unë ju premtoj se ka kush merret”, ka thënë Hasani.
I përmbajtur në gjykimin e trajnerëve ka qenë Rafet Prekazi. Ai nuk ka dashur të flasë keq për kolegët e tij, por gjithsesi, vlerëson se trajnerët duhet të jenë pedagog në fushë.
“Është keq kur trajnerët shkojnë në procedurë disiplinore, por në futbollin e Kosovës ka shumë rrethana që çojnë deri në këtë pikë. Sigurisht, duhet kuptuar edhe trajnerin që në momente mund të pëlcasë, por nëse ato përsëriten atëherë është diçka e keqe”, tha ish-trajneri i Trepçës, Prekazi, i cili sivjet ishte tekniku i parë që dha dorëheqje me të filluar kampionati.
Trajneri mitrovicas garat i nisi në bankinën e Trepçës, por vetëm pas dy ndeshjeve u largua me pretekst se kushtet janë ato që i pamundësojnë të punojë si duhet. Ndërsa vetë Ismet Munishi i cili javën e kaluar shpëtoi vetëm me një qortim nga disiplinori, thotë se ata me të drejtë po i çojnë në disiplinor dhe në këtë drejtim nuk duhet të lëshojnë pe.
“Ka shumë faktor që trajnerët po përjashtohen, por unë mendoj se arsyeja kryesore është referimi i dobët. Ata po lejojnë lojë shumë të ashpër në disa raste dhe kjo po na bën edhe neve si trajner të reagojmë. Gjithsesi nuk e arsyetoj asnjë sjellje të trajnerëve dhe them se duhet secili të japë përgjegjësi për veprimet e veta”, tha Munishi, i cili sivjet mendon se disiplina është në nivel, por vetëm tek ato skuadra që janë mirë financiarisht. /Zëri/Telegrafi/