Telegrafi

Trajnerët e Barçës mbërrijnë në Kosovë për kamp

Koordinatori së bashku me katër trajnerë të licencuar të Akademisë së Barcelonës, të enjten mbrëma kanë aterruar në Kosovë.

Ekipi i Akademisë së Barcelonës për pesë ditë do të qëndrojë në Kosovë, ku do të praktikojë metodat e punës që zbatohen në sistemin e grupmoshave të Barcelonës.

Katër trajnerët dhe koordinatori do të kenë punë me rreth 200 fëmijë, sa edhe janë paraqitur deri të enjten për të marrë pjesë në kampin e Barcelonës “FCBEscola Soccer Camp Kosova 2016” për grupmoshat U-8, U-10, U-12 dhe U-16, shkruan Koha Ditore.

Kampi do të mbahet në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq. Hapja e kampit të Barcelonës që mbahet për herë të parë në Kosovë do të bëhet më 21 dhe do të përfundojë më 25 maj.

Koordinatori dhe trajnerët nuk u deklaruan për pritshmëritë dhe qëllimet e ardhjes në Kosovë, meqë, siç thanë, e kanë të ndaluar të flasin për media pa marrjen e lejes nga zyra kryesore e Barcelonës.

Por, njeriu që bindi një nga klubet më të mëdha në botë, Barcelonën, të mbajë kamp në Kosovë, Adnan Ahmeti, u tregua i emocionuar për atë që po e pret.