Site icon Telegrafi

Trajkoviq: Nëse Vuçiq sinqerisht do marrëveshje me Kosovën, do ta bëjë

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës dhe këshilltare në qeverinë Kurti, Rada Trajkoviq, e ka cilësuar si një shfaqje për naivët diskutimin në seancën e sotme të parlamentit serb, në të cilën presidenti Aleksandar Vuçiq raportoi për propozimin evropian për marrëveshje me Kosovën.

Trajkoviq, përmes një postimi në Twitter, tha se “në qoftë se Vuçiq sinqerisht dëshiron marrëveshje, kemi marrëveshje”.

“Ai ka shumicën absolute në Kuvend, i cili mund (dhe pa diskutim) ta votojë. Ai nuk ka nevojë për unitet kombëtar dhe nuk e ka kërkuar kurrë sinqerisht në asnjë pikë. Ky diskutim është vetëm një shfaqje për naivët”, ka shkruar Trajkoviq, transmeton Telegrafi.

Presidenti serb u tha ligjvënësve se të dërguarit paralajmëruan se nëse Serbia nuk e pranon propozimin, pasojat do të jenë të rënda.

“Pastaj në fjalinë e tretë ata thanë, citoj: zoti president, nëse nuk pranohet puna për këtë nismë dhe zbatimin e saj, do të jeni përballë, citoj, pezullimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme nga bota perëndimore në Serbi, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si duhet të përfundojnë ata që nuk janë dakord me Bashkimin Evropian”, tha  Vuçiq.

Fjalimi i tij në parlamentin e Serbisë u ndërpre në disa raste nga deputetët e opozitës që e akuzuan presidentin serb për tradhti dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Senaca u përfshi edhe nga përplasjet ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të partisë së presidenti serb./Telegrafi/

Exit mobile version