Telegrafi

Trajanovski, Jakimovski dhe Pajaziti do të kandidonin përsëri për kryetarë komunash

Trajanovski, Jakimovski dhe Pajaziti do të kandidonin përsëri për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kështu u përgjigjën kryetarët aktual të Bashkisë së Shkupit, Komunës së Karposhit dhe Komunës së Bërvenicës në pyetjen se a do të kandidonin përsëri në zgjedhjet lokale në një emision në TV Nova, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Planifikoj të kandidoj për mandatin e ardhshëm, nëse në parti gjejmë konsenzus do të kandidoj. Vazhdimisht në tetë vite e ndërrojmë fytyrën në Bashkinë e Shkupit”, deklaroi Koce Trajanovski.

“Kjo gjeneratë ka bërë shumë për qytetin e Shkupit. Kemi dhënë premtime të mëdha para qytetarëve në Karposh dhe pjesën më të madhe e kemi realizuar, ndërsa qytetarët janë të kënaqur dhe kjo nga jep të drejtë të kërkojmë edhe një mandat nga Komuna e Karposhit”, u shpreh Stevço Jakimovski.

“Varet nga rrethana tjera, megjithatë sipas rejtingut të tanishëm kam të drejtë morale të kërkoj edhe një mandat”, tha Pajaziti.

Zgjedhjet lokale akoma nuk janë shpallur dhe nuk dihet kur do të ndodh një gjë e tillë. Pritet që pas takimit të nesërm mes kryetarit të Kuvendit dhe përfaqësuesve të partive politike të vendoset për ndryshime ligjore dhe të vazhdohet mandati i kryetarëve aktual dhe më pas edhe të shpallen zgjedhjet lokale./Telegrafi/