Site icon Telegrafi

Trainkos me probleme në pasqyrat financiare

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës ka vlerësuar se në ndërmarrjen publike “Hekurudhat e Kosovës – “Trainkos” ka borxhe të shumta, pasi sipas tyre ka menaxhim të keq financiar.

Raportuesja e komisionit, Emilija Rexhepi tha se raporti nuk tregon fitimin e saktë vjetor, dhe nuk jep një rezultat të saktë financiar.

“Ky raport nuk është në rregull, nuk i paraqet pamjet e vërteta në aspektin material duke filluar nga bilanci fillestar, raporti i të hyrave, raporti i përgjithshëm i qarkullimit financiar dhe pranimit të punëtorëve. Të gjitha këto për shkak të borxheve të mëdha ku klientët kanë pasur borxhe ndaj bizneseve dhe kjo asnjëherë nuk është paguar”, tha Rexhepi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur për pasqyrat financiare të “Trainkos”, tha se ato janë konstruktuar të tilla në mënyrë që të barazohen dhe se ai nuk i beson asnjë shifre në këtë raport.

“Nuk kam asnjë gjykim për këto sepse krejt raporti është fiktiv, sepse nuk mund t’i besohet asnjë shifre. Dhe, e dyta, te punësimi, sikur në plot raste të tjera, vazhdon punësimi pa konkurs, një mostër që e ka marrë auditori gjen që janë punësuar disa persona pa konkurs, tjetra, kur është bërë një konkurs nuk janë plotësuar kushtet elementare që kërkohen në konkurs për punësimin e personave”, tha ai.

Sadik Kryeziu, kryesues i bordit në “Trainkos”, tha se janë përballur me probleme të trashëguara, ndërsa ka përmendur shkaktarët kryesorë për humbjet në vitin 2016.

“Kemi probleme në dy-tre vendet me pasqyrat financiare, sa i përket gjendjes së kompanisë, ne e kemi me një gjendje të vështirë kompaninë. Në vitin 2016, kompania ka qenë me një humbje shumë të madhe, përfshi këtu krizën që ka ekzistuar në Feronikel, ku 95 për qind të transportimit të mallit e kemi me Feronikelin, përveç kësaj kanë ekzistuar kriza të tjera, kriza ekonomike në Greqi na ka shkaktuar problem në transportimin e mallrave, hapja e autostradës për
Shqipëri ka pas ndikim të madh, sepse transporti i mallit ka filluar të bëhet me ndonjë makineri tjetër, problemi më i madh është me veri, prej vitit 2008 nuk ka pas transportim në veri”, tha ai.

Ndërkohë që pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike u pajtua t’i procedojë në seancë të Kuvendit. /Telegrafi/

Exit mobile version