Site icon Telegrafi

Trainkos në krizë financiare

Punëtorët e kompanisë publike “Trainkos” rrezikojnë që të mbesin pa paga në muajt e ardhshëm. Kriza e thellë financiare që është duke e përcjellë këtë kompani, sipas zyrtarëve të saj ka ardhur për shkak se “NewCo Ferronikeli” ka hequr dorë nga shërbimet shkaku i krizës që është duke kaluar kjo kompani, ndërkohë që është klienti kryesor me rreth 60 për qind të të hyrave totale

Kompania publike që merret me operimet e trenave “Trainkos”, është duke u futur në krizë të thellë financiare. Gazeta ka mësuar se kjo kompani publike nuk do të mundë të sigurojë pagat e punëtorëve për muajt e ardhshëm. Gjendjen e rëndë financiare e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e “Trainkos”-it, por nuk kanë treguar se a kanë para për të mbuluar pagat e 231 punëtorëve në muajt e ardhshëm. Të hyrat prej 60 për qind të totalit, deri më tani kjo kompani i ka realizuar përmes shërbimeve që ia ka ofruar “NewCo Ferronikeli”.

Kjo kompani në një komunikatë dërguar mediave ka bërë të ditur që e ka ndërprerë prodhimin nga data 1 prill për afat të pacaktuar. Por, “Trainkos”-i është duke e zhvilluar afarizmin e vet me trend jo të kënaqshëm të avancimit edhe për shkak të mosmbulimit të plotë të shpenzimeve në transportin e udhëtarëve nga ana e aksionarit të saj. Gjendjen e vështirë financiare e ka konfirmuar edhe Behxhet Haziri, zyrtar për informim në këtë ndërmarrje publike.

“Gjendja e ndërmarrjes ‘HK-Trainkos’ nuk është shumë e kënaqshme pasi që ‘NewCo Ferronikeli’ ka ndërprerë transportin për shkaqe të tyre të brendshme, të cilat tanimë dihen edhe për opinionin e gjerë. ‘NewCo Ferronikeli’ ka qenë klienti ynë kryesor dhe në vazhdimësi në transportin e mallrave kemi qenë të varur nga ky klient. Në rast se kjo gjendje në ‘Ferronikel’ do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, kjo padyshim se do të reflektojë edhe te gjendja e ‘Trainkos’-it. Sa i përket të hyrave financiare nga ‘NewCo Ferronikeli’ ato sillen mbi 60 për qind të të hyrave vjetore të kompanisë”, ka thënë Haziri.

Ai ka treguar edhe disa faktorë të tjerë që, sipas tij, po ndikojnë në afarizmin zhvillimor të kësaj ndërmarrjeje. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version