Ambasada e Italisë në Prishtinë ka ngushëlluar popullin e Kosovës me rastin e vdekjes së dhjetë personave në një aksident trafiku në Kroaci, ku si pasojë janë lënduar edhe mbi 40 persona të tjerë.
“Ngushëllimet tona më të thella popullit të Kosovës për aksidentin tragjik të autobusit që ndodhi këtë mëngjes në Kroaci. Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë e viktimave, ndërsa u dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, thuhet në një postim në Facebook.
Ndryshe, mëngjesin e së dielës ka ndodhur një aksident trafiku në Kroaci ku është përfshirë një autobus nga Kosova.
Mediat kroate raportojnë për 10 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar. Ndërsa dyshimet e para janë se për një moment shoferin e autobusit e kishte zënë gjumi.
Ndërkohë që nga kompania “Deva Tours” autobusi i të cilit është aksidentuar kanë treguar për KosovaPress se aksidenti ka ndodhur, por që kanë thënë se nuk kanë informata të sakta lidhur me numrin e të vdekurve dhe të lënduarve.
Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shpallur të hënë ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.
Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.
Për në Kroaci tashmë ka marrë rrugë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e qeverisë.