Site icon Telegrafi

Tragjedia në Jabllanicë, tre fëmijët varrosen sot – kërkohet hetim i plotë për shkaqet e shembjes së objektit

Një ngjarje tragjike tronditi qytetin e Gjakovës, ku tre fëmijë humbën jetën pas shembjes së një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë.

Tre fëmijët e familjes Rama, Morina dhe Mehmetaj të moshës 13 dhe 15 vjeç do të varrosen sot në orën 14:00 në varrezat e fshatit.

Në njoftimin mortor familjet Morina, Rama dhe Mehmetaj kanë thënë largimi i parakohshëm i më të dashurve të tyre ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e tyre.

Lexo po ashtu Prokuroria nis hetimet pas shembjes së objektit në Jabllanicë që ka shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve

Ky ngjarje tragjike ndodhi të shtunën më 1 shkurt rreth orës 22:50. Policia bëri të ditur se është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë.

Personeli mjekësor konstatoi në vendngjarje vdekjen e tre fëmijëve.

Pas lajmit të hidhur, qytetarët dhe autoritetet lokale kanë reaguar me dhimbje, ndërsa është bërë thirrje për një hetim të plotë dhe masa të nevojshme për parandalimin e tragjedive të ngjashme.

Familjari i viktimave, Përparim Ademaj, ka thënë të dielën për mediat lokale se të rinjtë kanë dalë disa orë para incidentit për të luajtur së bashku, ndërsa familjarët e kanë zbuluar se ata kanë qenë në objektin e rrënuar nga dridhjet e telefonave, sa kanë qenë duke i kërkuar në rrethinë.

Sipas tij, kamerat e shtëpive në afërsi tregojnë se objekti i pabanuar është shembur rreth orës 16:35 të shtunën, ndërsa trupat e viktimave janë gjetur pas gati gjashtë orëve.

Lexo po ashtu Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objekti ku humbën jetën tre fëmijë

Avokati i Popullit ka kërkuar një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e shembjes së objektit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë që mund të ketë për këtë tragjedi. Ai ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të hetimeve që të mund të kuptohen arsyet e këtij aksidenti dhe të merren masa për shmangien e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.

Zyra e Prokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar dhe të gjitha njësitet tjera përkatëse të Policisë së Kosovës, dhe që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.

Reagime ka pasur edhe nga krerët e shtetit si presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe nga figurat tjera të larta në Kosovë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version