Site icon Telegrafi

Tragjedia e vajzës së nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë: Artiste në Firence, vdiq në një çmendinë të regjimit komunist

Hajredin bej Cakrani (1860-1940) ka qenë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi me 1860 në Cakran të Fierit, në një familje bejlere me ndikim në Mallakastër e Myzeqe. Ishte vëllai i Bektash bej Cakranit. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, shkollën e mesme e vazhdoi në Janinë dhe më pas u diplomua në Universitetin e Stambollit.

Pas diplomimit, Hajredin Bej Cakrani shërbeu si ushtarak në shumë vilajete të Perandorisë Turke, si në Janinë, Boleu e Stamboll, ku edhe u njoh me Ismail Qemalin, Mehmet pashë Dërrallën, Syrja bej Vlorën, Ferid Pashë Vlorën, Aziz pashë Vrionin Sami Frashërin, Jani Vreton, Koto Hoxhin etj. Në vitin 1883 solli Abetaren e parë në Cakran dhe një sërë botimesh të tjera në shqip, të botuara në Bukuresht e Stamboll, si: “Bagëti e Bujqësi”, “Lulet e Verës”, “Qerbelaja” etj.

Në vjeshtën e vitit 1908, në sarajet e familjes Cakrani, u hap shkolla e parë shqipe, me mësues Viskë Babatasi.

Vdiq në shtëpinë e tij në Petoshaj dhe u varros në teqenë ku kishin varret familjare dhe të parët e tij në Cakran.

Vajza e tij e vetme ishte Suhade Cakrani, që studionte në Firencen e Dantes, të Mikelanxhelos e Makiavelit etj. – të atyre që udhëhoqën Rilindjes evropiane. Diplomoi në Akademinë prestigjioze të Arteve të Bukura, se atdheut i duhej edhe arti e kultura. Por, dhe rebelimi. Por, fati i saj gjatë komunizmit ishte tragjik: vdiq në çmendinë në vitin 1955. Ishte vetëm 35 vjeçe. Sot nuk dihet asnjë vepër e saj. Fatin e keq të tillë e kishin edhe shumë anëtarë tjerë të familjes Cakrani, që u arratisën, u vranë, u burgosën dhe internuan. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version