51-vjeçari Skender Qerimaj dyshohet se dje me dashje ka vrarë me gjashtë plumba bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.
Pesë ditë para vrasjes, Lirije Bajrami e kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj Skender Qerimaj në Policinë e Kosovës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, rezulton se viktima Lirije Qerimaj më 1 janar 2022 në Stacionin Policor në Skenderaj kishte ushtruar kallzim penal ndaj Skender Qerimajt për dhunë në familje.
Sipas dosjes së Prokruroisë, në deklaratën që e kishte dhënë viktima më 1 janar 2022, thuhej se ajo me të pandehurin Qerimaj ishte e martuar nga viti 2001 dhe kishin tre fëmijë.
“Prej se jam martu kam probleme me burrë, dhunë fizike e psikike, shpesh tenton të më largojë nga shtëpia, ku edhe mbrëmë më kishte thënë “dil prej shtëpisë se je ka më tradhëton”, kishte rrëfyer viktima Lirije Qerimaj para zyrtarëve policorë në Stacionin Policor në Skenderaj.
Viktima Lirije Qerimaj në polici kishte thënë se më 31 dhjetor derisa e njëjta kishte shikuar në telefon urimet nga familjarët e saj për rastin e Vitit të Ri, i pandehuri e kishte pyetur se “kush po të shkrun” dhe viktima ishte përgjigjur “kunata” dhe i pandehuri i kishte marrë telefonin duke e akuzuar se po shkruante me persona të tjerë.
Tutje viktima kishte deklaruar se i pandehuri e kishte rrahur me çka ka pasur në dorë.
“Shpesh më ka rrahë dhe më ka goditë me çka ka pas në dorë, krejt syrin e kam pasur të mavijosur në korrik të vitit 2021”, kishte deklaruar Lirije Qerimaj.
Tutje viktima kishte thënë se rastin nuk e kishte lajmëruar në polici se dyshonte mos ka ndonjë sëmundje mendore.
“Rastin nuk e kam raportuar në polici se po dyshoj mos ka ndonjë sëmundje mendore e po i kalon në xhelozi”, kishte thënë viktima Lirije Qerimaj.
Po ashtu ajo kishte thënë se bashkëshorti i saj ishte i egër edhe me anëtarë të tjerë të familjes por ata i rrinin larg dhe kishin frikë nga ai.
Viktima kishte thënë në Polici në Skenderaj se është e pajtimit që mos të ndahet nga bashkëshorti i saj nëse ai nuk ushtron më dhunë ndaj saj. E po ashtu ajo kishte kërkuar edhe urdhërmbrojtje sepse nuk e din se ku do të shkonte nëse burri do e largonte nga shtëpia.
Kallxo.com ka siguruar raportin e ditës kritike kur është kryer vrasja. Siç thuhet në raport, më 5 janar rreth orës 13:47, policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Kur kishte pranuar informacionin policia, ishte kërkuar që të njoftohet edhe Emergjenca në QKMF. Në vendin e ngjarjes njësia patrulluese që kishte marrë informacionin kishte gjetur 48-vjeçaren me inicialet L.Q., të plagosur nga arma e zjarrit.
Rreth orës 14:00, burri ishte dorëzuar në polici dhe kishte lajmëruar se ka vrarë gruan e tij.
Gjithmonë sipas raportit të siguruar nga portali, burri menjëherë ishte futur brenda stacionit policor dhe ka dorëzuar një pistoletë të tipit “Zoraki M 906-B” dhe një karikator me tre fishekë.
I njëjti ishte arrestuar ndërsa policia kishte vepruar tutje. Siç thuhet në raport ishte njoftuar edhe ekipi i hetuesve policorë, të cilët kishin arritur në lokacion rreth orës 15:00, kanë kryer vendshikimin dhe janë tërhequr nga ai lokacion.
Gruaja ishte dërguar me plagë në emergjencë e më pas në Spitalin Rajonal ndërsa rreth orës 14:40 pra më shumë se një orë pasi kishte ndodhur ngjarja, e njëjta ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.
Rasti është iniciuar si vrasje e rendë ndërsa i dyshuari Skender Qerimaj është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Kallxo.com/