Tre anëtarë të një familje nga Gjilani ndërruan jetë në Shqipëri për shkak të helmimit nga ushqimi, ku dyshohet se kanë konsumuar kërpudha.
Policia e Shqipërisë në një raport paraprakë ka njoftuar se shtetasit kosovarë E. H., 78-vjeçe, A. H., 56-vjeç dhe F. H., 57-vjeçe nga Gjilani, dyshohet se kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit, janë helmuar.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht dy mjekë në Manës për veprën “Mjekim i pakujdesshëm”, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit nga Kosova.
Raportin e policisë e ka publikuar ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, i cili i ka shprehur ngushëllime familjes Haliti nga Gjilani për humbjen e jetës së familjarëve të saj në Gjirin e Lalëzit në Shqipëri.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe (familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, ka shkruar ambasadori Hasani. /Telegrafi/