Rritja e çmimit të derivateve ka bërë që autobusët në “Trafiku Urban” të shqyrtojnë mundësinë e rritjes së çmimit të biletave.
Nga kjo ndërmarrje kanë thënë për Telegrafin se biletat për udhëtarët do të ngritën për 0,10 cent më shumë.
Sipas tyre, kjo rritje e biletave po vie pas ngritjeve të çmimeve të derivateve.
“Së bashku me organet ekzekutive komunale jemi duke e analizuar gjendjen e krijuar pas ngritjes së çmimit të derivateve si dhe kërkesën e BERZH për ngritje te çmimit të biletës nga 0.40 cent në 0.50 cent”, thuhet në përgjigjen e Trafikut Urban.
Drejtorit i Drejtorisë për Shërbime Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu, ditë më parë tha se është kërkesë edhe e BERZH-it që çmimi të ngritët meqë Trafiku Urban e ka të pamundur të operojë me koston të cilën ka.
“Po, po diskutohet është një kërkesë, është problematikë të cilën jemi duke e ballafaquar tash të gjithë. Realisht, kërkesa edhe e BERZH-it që çmimi të ngritët për arsye që edhe Trafiku Urban nuk mundet me operua me koston të cilën e ka, shpenzimet të cilat i ka dhe me çmimin të cilën ne si komunë e paguajmë tek Trafiku Urban për kilometra të cilët ata bëjnë”, kishte deklaruar Musliu.
Ndryshe transportit publik në kryeqytet së shpejti pritet t’i shtohen edhe 110 autobusë të rinj, 80 prej tyre do t’i takojnë sektorit privat.
Për momentin 51 autobusët janë në dispozicion që operojnë në 7 linja të ndryshme të kryeqytetit. /Telegrafi/