“Mafia shqiptare në Zvicër drejton trafikun e të gjitha llojeve të drogave”, është titulli kryesor i një shkrimi në gazetën zvicerane “Le Matin Dimanche”.
Në artikull thuhet se shpërndarja e drogës ka ndryshuar tregun e Zvicrës. Heroina, kokaina dhe hashashi janë tashmë në duart e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjithashtu aty shkruhet se trafiku i të gjitha drogave mbështet në sajë të një organizimi të përsosur të bandave shqiptare, të cilat në fillim lindën me trafikun e heroinës.
“Ne nuk e dimë se kush kontrollon kë”, ka thënë për “Le Matin Dimanche”, oficeri i antidrogës Olivier Guéniat, transmeton NOA.
Policia zvicerane është habitur nga ajo që ka zbuluar deri më tani. Më 18 janar të këtij viti u zbulua në Gjenevë një grup kriminal, ku ranë në pranga 3 meshkuj shqiptar dhe një femër. Gjithashtu u sekuestruan 20 kg kokainë. Gjatë vitit të kaluar në këtë zonë janë sekuestruar 33 kg kokainë.
Pika e përbashkët e trafikantëve?
Ata janë të gjithë shqiptarë. Kjo është thënë nga ekspertët të cilët shprehen se tashmë tregu i drogës po ndryshon. Deri atëherë, ai ishte shumë i segmentuar. Shqiptarët dhe kosovarët drejtonin trafikun e heroinës, afrikanë atë të kokainës dhe zviceranët drejtonin tregun e kanabisit. Tashmë gjithçka po drejtohet nga shqiptarët.
Gjeneva është vendi që merr me shumë drogë dhe ky është motivi se pse mafia është më e zhvilluar këtu.
“Oportunizmi luan një rol mjaft të rëndësishëm në vendosjen e aktiviteteve tek shqipfolësit”, ka pohuar Frank Zobel, zëvendësdrejtor i anti-drogës në Zvicër dhe bashkautor i një studimi të vazhdueshëm në tregun e heroinës.
Sipas statistikave, rreth 8 tonë pluhur të bardhë konsumohen çdo vit në Zvicër dhe dy tonët e tjera janë heroinë. Potenciali i biznesit është i rëndësishëm. Së fundi, për të financuar trafikimin e kokainës, shqiptarët filluan shitjen e kanabisit, ku çdo vit qarkullon mbi 80 ton.