Telegrafi

Trafiku i drogës, ja kodet që përdorte nipi i Enver Hoxhës

Zbardhet dosja e Prokurorisë për Krimet e Rënda për grupin e dhjetë të akuzuarve si pjesë e grupit kriminal, që përpunonte kokainë në laboratorin e Xibrakës në Elbasan deri në janar 2015.

Pjesë e dosjes në pritje të gjykimit te Krimet e Rënda janë edhe personazhe VIP si Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, si dhe dy shtetas kolumbianë. Sipas dosjes, një kopje e të cilës është siguruar nga gazeta “Panorama”, organi i akuzës ka siguruar përgjime telefonike, vëzhgime ambientale dhe prova shkencore të përbëra nga aktekspertime të ndryshme për përfshirjen e të pandehurve në procesin e trafikimit, të prodhimit e përpunimit të lëndëve narkotike.

Disa nga të pandehurit janë “kryqëzuar” nga kuponët tatimorë që kanë mbajtur për blerjen e solucioneve të ndryshme kimike që shërbenin për përpunimin e kokainës, e cila futej në Shqipëri në gjendje të papërpunuar.

Referuar bisedave të përgjuara nga ana e Prokurorisë, të pandehurit i referohen me “ata shokët” kur e kanë fjalën për dy shtetasit kolumbianë. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Ermal Hoxha përdorte emrin “Shkodër” kur i referohej destinacionit “Elbasan”. Ndërsa për Genci Xhixhën, të pandehurit i referoheshin me “i shëndoshi”, ose “daku”.

Dosja e prokurorisë

Nga aktet e këtij hetimi rezulton se në datën 17.12.2014 ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.

Nga hetimi i kryer përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve, rezultoi se shtetasi Ilir Hyseni, pas mbërritjes në Shqipëri, kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni, përveç kontakteve me Kastriotin, nisi të kishte kontakte edhe me shtetasin Ermal Hoxha, përdorues i numrit celular 06xxxxx 949.

Në këto kushte, Policia Gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të shtetasve Ilir Hyseni dhe Ermal Hoxha deri sa, në datën 13.1.2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit.

Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe
Kelmend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Sajmir Batku. Rezultoi nga përgjimet telefonike se personat e mësipërm kishin komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.

Gentian Gjonaj rezultoi të ishte përdorues i numrave celulare 06…189 dhe 06…189, Arjan Dalipi përdorues i numrit 06…975, Kelmend Dalipi përdorues i numrit 06…645 dhe Sajmir Batku përdorues i numrit celular 06…365.

Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre. Nga vëzhgimet u konstatua se edhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan të ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Walther Moren Moreno, kishin akses në ambientin e sipërcituar.

Përgjimet telefonike dhe vëzhgimet

Nga vëzhgimet e datës 13.1.2015 rezulton se Ermali, me automjetin e tij “Volvo” me targë AA xxx KO, në orën 10:40 ka hyrë në Elbasan. Në orën 10:30 është futur te magazinat në Xibrakë, prej ku ka dalë në orën 10:45, së bashku me dy persona të tjerë (që u identifikuan më pas si Cesar Avila dhe Walther Moreno) dhe është nisur drejt Tiranës.

Edhe nga përgjimet telefonike të numrit celular në përdorim të Ermal Hoxhës, rezulton se për marrjen e tyre në Elbasan ai kontakton Genci Xhixhën, pasi ky i fundit do t’i takonte ata në Tiranë. Në orën 10:54, nga numri 06…949, Ermali telefonon Gencin në numrin 06…888. Ermali, që ishte nisur ndërkohë nga Elbasani, i thotë se vjen për 40 minuta dhe e pyet nëse do ta takojë dikë që ai e kishte me vete (duke nënkuptuar shtetasit kolumbianë).

Në orën 11:33, Genci telefonon Ermalin. Në bisedë Genci i kërkon që të ngjitet lart (në shtëpi), të zbresë çantat dhe të ikin pasi do të lëvizin shpejt. Nga vëzhgimet rezulton se në orën 11:40, Ermali i ka çuar dy personat në një pallat në rrugën “Milto Tutulani”, dhe të tre, duke mbajtur dy çanta dore, janë ngjitur te kati i dytë i pallatit, prej ku kanë zbritur në orën 11:45.
Në orën 11:48, Ermali së bashku me kolumbianët, ndalon te kafe “G…” në rrugën Komuna e Parisit, ku takojnë Gentian Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Më pas kanë shkuar të hanë drekë te restoranti “P…”.

Nga vëzhgimet rezulton se në 12:50, automjeti “Volkswagen Sharon”, AA xxx DD, i përdorur nga Ilir Hyseni, hyn në ambientet e magazinës në Xibrakë së bashku me Sajmir Batkun, ku takojnë Arjan Dalipin.

Në 13:10 Sajmiri ka nxjerrë një makinë “Jeep” nga kapanoni, me targë TR xxx T. Në orën 13:23, Ilir Hyseni ka dalë nga magazina, ndërkohë që Sajmiri ka dalë në orën 13:27 dhe kanë lëvizur drejt Tiranës. Pasi janë larguar dy personat e sipërcituar, Arjani ka hyrë në kapanonin me llamarina, ku ndodhej laboratori.

Gjuha e koduar

Edhe në mëngjesin e datës 14.1.2015, Ermali ka komunikuar me Gencin për transportimin e dy personave për në Elbasan. Genci, i cili flet nga një telefon tjetër, i kërkon që t’u bëjë telefon atyre shokëve se ai do të shkonte t’i merrte për gjysmë ore. Ermali i thotë që nuk ka kontakt me ata të dy (kolumbianët), por me Balin, siç thërritet Iliri nga bashkëpunëtorët e tjerë.

Atëherë Genci i kërkon që t’i thotë Ilirit. Në orën 8:10, Ermali telefonon Ilirin dhe i kërkon të lajmërojë ata të dy (kolumbianët), se për gjysmë ore do vinte t’i merrte ai shoku (Genci). Në orën 8:15, Iliri telefonon Ermalin dhe i thotë se ata (kolumbianët) janë gati. Në orën 8:57, Genci telefonon Ermalin.

Në bisedë i thotë se do të shkojë në Shkodër, ndërkohë që në fakt niset drejt Elbasanit. Duket qartë se Shkodra përdoret si emër i koduar në vend të Elbasanit. Të njëjtin kod përdor Ermali, teksa në bisedën e datës 13.1.2015, ora 10:54, i thotë Gencit se kishte ikur gjer në Shkodër dhe po vinte, ndërkohë që po kthehej nga Elbasani me dy kolumbianët.

Në orën 9:05, Genci i kërkon në telefon Ermalit që të lidhet me vëllaun e Klemit (Klement Dalipit), që të dalë te vendi ku janë takuar herën e fundit. Në orën 9:08, Ermali telefonon Arjanin. Ermali i kërkon atij të dalë te kafja ku ka qenë Klemi me një person të thirrur Daku dhe atë të shëndoshin (Gencin).

Arjani i thotë që ishte andej (duke nënkuptuar magazinën) dhe nuk mund të lëvizte pasi nuk kishte njeri. Atëherë Ermali i kërkon që Klemi të dalë te kafeneja ku ishin atë ditë pasi për 20 minuta do të ishin aty.

Në orën 9:09 Arjani telefonon Kelmendin dhe i thotë se e ka marrë Ermali dhe për 20 minuta do të jenë tek kafja ku ke qenë me Dakun. Në orën 9:21, Kelmendi e pyet sërish në telefon Arjanin për vendin ku duhej të shkonte, i cili i thotë se do të pyeste Ermalin se ku saktësisht.

Në orën 9:22, Arjani telefonin Ermalin për t’u marrë vesh për vendin ku po priste Genci, por edhe Ermali nuk e dinte saktë. Ora 9:23, Ermali komunikon sërish me Arjanin dhe e sqaron se Genci është me fuoristradën gri. /Panorama.al/Telegrafi/