Site icon Telegrafi

Trafikonte emigrantë në Britani, paditet shqiptari

Një shqiptar që nuk e ka pranuar akuzën për trafikim të qenieve njerëzore, do të dalë në gjyq në Britani, pas hetimeve të bëra nga Agjencia e Luftës kundër Krimit, NCA, e njohur si FBI-ja britanike.

Afrim Xhekaliu, 40-vjeçar me banim në Londër, akuzohet se ilegalisht ka sjellë me gomone, duke kaluar kanalin e La Manshit drejt Anglisë 7 bashkëkombës të tij dhe një grua. Emigrantët shqiptarë u shpëtuan nga Rojet Bregdetare në afërsi të qytetit bregdetar Eastbourne, ditën e mërkurë.

Shqiptari është paditur për shkelje të ligjeve të emigracionit dhe zotërim të pronës kriminale, pasi iu gjetën 1.000 sterlina me vete. Policia arrestoi edhe dy persona të tjerë, ku njëri është liruar për hetime të mëtejshme, ndërsa tjetrit iu pushua çështja, përcjell tch.

Martin Grace, drejtues i lartë i hetuesisë, thotë se “ky incident demonstron rreziqet që shoqërojnë përpjekje të kësaj natyre për të kaluar kanalin e La Manshit në forma të tilla. Ata që ishin në gomone kanë qenë jashtëzakonisht me fat, teksa iu mundësua që të shpëtonin shëndoshë e mirë”.

Mbërritja me gomone në brigjet e Anglisë është e pazakontë, pasi shumica e shqiptarëve mbërrijnë atje me maune dhe forma nga më të sofistikuarat, madje ka pasur raste edhe me avionë privatë.

Britania, pavarësisht forcimit të masave të kontrollit kufitar, mbetet një destinacion i preferuar i shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të mbërrijnë në ishull në numra që nuk shënojnë rënie. /TopChannel

Exit mobile version