Site icon Telegrafi

Trafikoi “nusen” në Itali për prostitucion, “vjehrra” nga Berati dënohet me 17 vite burgim

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, përfundoi hetimin dhe kërkoi dënimin me 22 vite burg të të pandehurës D.Sh., për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”.

Prokuroria arriti në përfundimin se ka prova të mjaftueshme se e pandehura D.Sh., në bashkëpunim me shtetasit E.M. dhe F.D., ka kryer veprën penale për të cilën u akuzua. Ajo me veprime aktive ka rekrutuar, transportuar në shtetin italian viktimën M.S., me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

E pandehura D.Sh e ka rekrutuar, transportuar dhe trafikuar nga Berati në Vlorë e më pas në shtetin italian, nëpërmjet fshehjes dhe formës së ngjashme me skllavërimin duke e ndaluar të takohet dhe komunikojë me persona të tjerë dhe familjarët, duke e detyruar që t’i bindej çdo urdhri të saj. Ajo e ka trafikuar viktimën M.S., fakt ky i provuar edhe nga deklarimet e viktimës, se e pandehura i ka thënë: “Ti do të vish në Itali dhe po hape gojën të shkosh në polici, ne do të vrasim mamanë”.

Viktima ka deklaruar se rreth muajit shkurt të vitit 2018, ka qenë e papunë dhe e asistuar nga shërbimet sociale të qytetit të Beratit është njohur me të pandehurin E.M., njohje e cila pas pak kohësh është zyrtarizuar dhe në familjet e tyre. Pas përfundimit të ceremonive përkatëse ajo ka shkuar të jetojë te banesa e të fejuarit, i cili përgjithësisht e trajtonte mirë, por shumë shpejt nisën dyshimet për sinqeritetin e të pandehurit kur gjatë një bisede në rrjetin social Facebook, ajo e prezantuar në komunikim me të ëmën e tij, shtetasen D.S., ka zbuluar planin për dërgimin e saj në Itali.

Në përfundim të hetimeve dhe konkluzioneve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të Përgjithshëm Berat, gjykata e shpalli të pandehurën D.Sh. fajtore dhe e dënoi me 17 vite burgim.

Exit mobile version