Telegrafi

Trafik i rënduar në rrugën e Rinasit, drejtuesit e automjeteve drejt veriut të Shqipërisë këshillohen të kalojnë nga Kamza ose Vora

Ministrja shqiptare e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku bëri thirrje sot që të shmanget ngarkesa e panevojshme të rrugës drejt aeroportit të Rinasit.

Në një komunikimi për mediat nga rruga e Rinasit, Balluku u bëri apel drejtuesve të mjeteve që shkojnë drejt veriut të vendit të përdorin rrugën nga Kthesa e Kamzës dhe Vora, duke bërë të mundur që rruga e Rinasit të përdoret nga banorët e zonës dhe personat që duan të shkojnë në aeroport.

“Të gjitha automjetet drejt veriut të përdorin kthesën e Kamzës dhe Vorën duke lejuar që kjo rrugë me dy kalime të përdoret për banorët dhe ç’është më e rëndësishmja kjo rrugë është ndërtuar nga koncesionari dhe duhet të përdoret për të aksesuar aeroportin”, tha Balluku.

Balluku ka njoftuar gjithashtu edhe një plan për ndërtimin e një rruge të re e cila do të lehtësoj trafikun e daljes dhe hyrjes në zonën e aeroportit.

Pas 4 ditë protestash nga banorët e zonës pranë Rinasit, ARRSH vendosi të rikthejë kalimin me dy kahe në këtë aks rrugor.

Rruga drejt aeroportit kryesor të vendit ka pasur ngarkesë të shtuar të trafikut në ditët e fundit si rezultat i rritjes së numrit të fluturimeve. /Telegrafi/