Telegrafi

Trafik kokaine nga Shqipëria drejt Italisë, mbi 12 vite burg për Ilirjan Duçellarin

Apeli i GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për 10 personat e përfshirë në trafikun e kokainës nga Shqipëria drejt Italisë e vendeve të tjera europiane.

Bëhet fjalë për Robert Myftarin, Julian Bejdollarin, Aurel Kalarin, Rexhino Muçajn, Piro (Kleo) Bregun, Ilirian Duçellarin (alias Ilirian Zaimi), Orhan Duçellarin, Alban Koshin, Elton Hamzan dhe Mariglen Shushan.

Pas hetimeve, ka rezultuar se këta persona janë pjesë e katër grupeve të fuqishme kriminale të organizuar, të cilët kanë vepruar nga viti 2014 deri ne vitin 2019, në Shqipëri dhe në kontakt e bashkëpunim me organizatat kriminale italiane, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike në Itali e më pas në vende të tjera europiane.

Apeli i GJKKO-së ka vendosur gjithashtu të dënojë me 19 vite burg Ilirjan Duçellarin (Zaimi).

Ky i fundit ka përfituar nga ulja me një të tretën e dënimit, duke u dënua përfundimisht me 12 vite e 8 muaj burg.

Ndër të tjera në vendimin e Apelit të GJKKO-së bëhet me dije dhe konfiskimi i disa pasurive në emër të Duçellarit, e familjarëve të tij.

“Autoritetet Shqiptare dhe Autoritetet Italiane, gjatë hetimeve të mëparshme bërë në Shqipëri në kuadër  të operacioneve ‘Shefi’ dhe ‘Kulmi’ në mars të  vitit 2018 e në qershor të vitit 2020, kanë rindërtuar, edhe me ndihmën e deklaratave të katër bashkëpuntorëve të drejtësisë, të dhëna  për shkelje të ligjit  te kryera nga zyrtar publik shqiptar, pastrim parash, po ashtu të gjithë “zinxhirin e prodhimit” të lëndës narkotike që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve pugliese me mjete lundruese  të fuqishëm.

Në tërësi, në kuadër të hetimeve të sipërpërmëndura, janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijuanë, kokainë e hashish, duke ju hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash njëshe që dalin nga shpërndarja me pakicë.

Në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar me qëllim konfiskimin e tyre, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, subjekte tregtare, ambiente biznesi, në një vlerë prej 10 (dhjetë) milion euro.

Ky hetim është vlerësuar nga EUROJUST si një ndër hetimet më të sukseshme në Evropë, i kryer në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore”, thuhet në njoftim./RTSH