Telegrafi

Tradita tërheq turistët, të huajt interesohen për vlerat kulturore në Gjirokastër

Vlerat e pasura të traditës në zonën e Gjirokastrës si folklori, etnografia, veshjet karakteristike, kulinaria tradicionale, e shumë të tjera po tërheqin gjithmonë e më shumë turistët.

Muzeu Etnografik në pavionet e të cilit prezantohet trashëgimia kulturore e Gjirokastrës edhe në këto ditë vere vizitohet me interes nga turistët.

“Vizitueshmëria e muzeut përgjatë vitit është në rritje, turistët e huaj, por gjithashtu edhe vendasit kanë interes për vlerat e trashëgimisë kulturore, etnografinë, për vallet, muzikën, objektet e guzhinës, etj”.

Vizitorët e huaj shprehin interes për shumëllojshmërinë e vlerave të traditës, objektet karakteristike apo trashëgiminë kulturore të transmetuar në breza.

“Kryesisht turistët e huaj ngelen të befasuar nga vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit tonë, nga pasuria e tyre, nga shumë llojshmëria e kostumeve apo objekteve origjinale që ata gjejnë në muzeun tonë dhe shprehen të kënaqur dhe të befasuar nga pasuria kulturore që shfaqet në muze”.

Turistët nga vende të ndryshme të botës pohojnë se traditat shqiptare dhe qyteti i Gjirokastrës në veçanti janë mjaft tërheqëse për çdo vizitor.

“Unë vij nga Serbia. Kam qenë në Shqipëri dy herë, për mua vendi juaj është mjaft i bukur, dhe Muzeu Etnografik që po vizitojmë është i veçantë”

“Ky muze është mjaft i bukur, u njohëm me vlerat e historisë dhe traditës shqiptare”.

Përgjatë verës qyteti i gurtë po mirëpret një numër në rritje turistësh ndërsa vetëm përgjatë qershorit Gjirokastra u vizitua nga rreth 35 mijë turistë. /Telegrafi/