Site icon Telegrafi

Tradhtia ndaj lirisë

Fjala "tradhti" është përdorur me kuptim të kundërt nga ai që ofron Fjalori i Gjuhës Shqipe, duke lënë vend për nënkuptime dhe keqkuptime të dëmshme. Kështu u la të nënkuptohet se Serbia dhe Rusia, e me to edhe Kina e Brazili, paskëshin luftuar për ideale dhe vetëm në sajë të tradhtisë Kosova po mbërrin pavarësinë e saj të shumëpritur.

Të sharat janë të shumëllojshme në dukje, por të larmishme edhe në ndikimin e tyre në mesin e bashkëbiseduesve. Disa të pezmatojnë me ndyrësinë e tyre, të tjera të bëjnë të zgërdheshesh fshehurazi, ndërsa të tjera të lëndojnë thellësisht kur bien ndesh me bindjet dhe tiparet dalluese të vetës tënde. Lënduese për përkatësinë time kombëtare dhe bindjen time për lirinë dhe idealin e pavarësisë së Kosovës qe lajmi i paradokohshëm se Rusia na paskësh tradhtuar Serbinë.

I njëjti lajm njofton se Rusia, Kina dhe Brazili, tri kundërshtare të pavarësisë së Kosovës, nuk kanë deponuar komente pro-Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kurse të vetmet shtete që kanë bërë një gjë të tillë janë (sipas rëndësisë në arenën ndërkombëtare): Spanja, Argjentina, Bolivia dhe Qiproja. Mirëpo, lajmi në mënyrën si është titulluar i ngjan më tepër gjuhës së përdorur nga katër shtetet e fundit sesa qëndrimit të marrë nga tri vendet e para.

Përkundër faktit dhe përshtypjes se publiku kosovar lexon pak, fontet ngjyrëhiri të portaleve të lajmeve kanë lidhur miqësi me një numër solid lexuesish, për të cilët luajnë rolin e formuesit të opinionit. Aq më tepër, faqet shqiptare të internetit janë hapësira për zhvillimin e shprehjes së lirë dhe të drejtë, por që në rastin e përmendur na arriti si e robëruar dhe e shtrembëruar.

Fjala "tradhti" është përdorur me kuptim të kundërt nga ai që ofron Fjalori i Gjuhës Shqipe, duke lënë vend për nënkuptime dhe keqkuptime të dëmshme. Kështu u la të nënkuptohet se Serbia dhe Rusia, e me to edhe Kina e Brazili, paskëshin luftuar për ideale dhe vetëm në sajë të tradhtisë Kosova po mbërrin pavarësinë e saj të shumëpritur. Sepse fjalori dhe kuptimi i kësaj fjale në shqip (dhe i barasvlerës së saj në gjuhë të tjera) nënkupton veprimtari armiqësore ose vepër kundër atdheut, popullit apo besës. Në fakt, Rusia, Kina dhe Brazili, me mosparaqitjen e komenteve, kanë vepruar pro kësaj trinie të rëndësishme për paqen dhe rendin botëror.

Rusia, Kina dhe Brazili, dy të parat anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, ndërsa i fundit një fuqi në ngritje në arenën ndërkombëtare, nuk mund të flijojnë detyrimin e tyre ndaj politikës së matur botërore për ngërdheshjet e një regjimi famëkeq të kruspullosur në Beograd. Njëherësh, të tri këto vende nuk mund të qëndrojnë mospërfillës ndaj ndërgjegjësimit të tyre se pavarësia e Kosovës është ecuri e pakthyeshme, për të cilën nuk duhet krijuar pengesa të panevojshme në mekanizma ndërkombëtarë. Nuk është e çuditshme që këto tri vende të distancohen nga kundërshtimi i së drejtës, por është për t’u habitur që ky vendim të quhet "tradhti".

Në anën tjetër, shqetësues është fakti se Spanja, Argjentina, Bolivia dhe Qiproja po tradhtojnë idealet e lirisë për të cilat flasin në diskurset e tyre politike. Sidomos shqetësues është fakti që këto katër shtete duhet të futen në një thes, përkundër dallimeve në politikën e tyre të jashtme. Nuk është e çuditshme të shohësh se krahas telasheve në qeverisje, administrata argjentinase të radhitet në krahun e gabuar dhe të mos arrijë të shkëputet nga e kaluara si strehë e ish-shërbëtorëve të nazizmit. As politika zhurmëmadhe e Bolivisë, e përcaktuar të kundërshtojë çdo shpresë për demokraci në Amerikën Latine, nuk duhet të na irritojë. Aq më pak të prekemi nga shteti gjysmak i Qipros, të cilin analistët i kanë vënë nofkën "hirushja bizantine" tek na përkujtonin miqësinë e këtij vendi me regjimin e Millosheviqit.

Këto që po bëjnë Argjentina, Bolivia dhe Qiproja janë vepra tradhtie dhe për këto nuk mund të kem shpresë pa parë ndërrime më rrënjësore në këto vende. Mirëpo, një shkëndijë shprese mbetet për baloshen e këtij grupi, Mbretërinë e Spanjës, të cilën nuk mund ta quaj tradhtare për arsye të tjera. Sepse Spanja, siç na kujton diplomati José Ignacio Torreblanca, konsiderohet "në mbarë botën model i bashkëjetesës dhe decentralizimit". Ndaj shpresojmë se Spanja do ta kuptojë arsyen për njohjen e Kosovës, siç shpreson edhe vetë Torreblanca, duke i tejkaluar problemet e brendshme, presim që brenda Kosovës mbështetja të mos quhet tradhti. Kjo nuk do t’i pëlqente Spanjës e me gjasë këtë nuk e kanë pritur as Rusia, as Kina e as Brazili. Veçse, me një koment të tillë do të mbërruten idealet tona dhe pozita jonë në procesin gjyqësor dhe në ecurinë e njohjes ndërkombëtare të shtetësisë sonë.

(Autori është student nderi i shkencave politike dhe gjuhës spanjolle në Shtetet e Bashkuara)

Exit mobile version