Për një kohë të gjatë, Toyota refuzoi veturat elektrike, duke refuzuar të investonte shumë burime në prodhimin e tyre dhe kjo doli të ishte një lëvizje e mirë nga ana e biznesit.
Shitjet e veturave elektrike janë në stagnim, ndaj investimi i tepërt në këtë teknologji nuk ka dhënë rezultat. Megjithatë, me sa duket edhe Toyota e kupton se është e nevojshme të përgatitet për një të ardhme elektrike.
Toyota tani do të ndërtojë një fabrikë baterish në Kyushu në Japoninë jugore, sipas gazetës japoneze të biznesit Nikkei. I njohur si Ishulli i Silikonit në Japoni, Kyushu është një qendër për prodhimin e çipave, komponentë të nevojshëm edhe në makinat moderne elektrike.
Edhe pse zyrtarisht nuk është bërë e ditur se kur do të përfundojë fabrika, është e sigurt se për Toyotan do të jetë vendimtare për prodhimin e ardhshëm të veturave elektrike.
Investimi në Kyushu do të jetë thelbësor për të siguruar sukses në kontinentin aziatik, i cili aktualisht dominohet nga Kina.
Divizioni Toyota-Lexus ka tashmë një nga linjat e saj më të mëdha të montimit në Kyushu, dhe meqenëse bateritë e automobilave elektrike janë të mëdha dhe të rënda, konsiderohet si një avantazh strategjik për të vendosur prodhimin e baterive edhe atje.
Toyota kohët e fundit ka vënë një fokus në rritje në bateritë në gjendje të ngurtë, të cilat ata shpresojnë se do të jenë në prodhim masiv rreth vitit 2028. /Telegrafi/