Telegrafi

Toyota pezullon shitjet e modelit Yaris në Tajlandë pas problemeve të testit të sigurisë

Prodhuesi japonez i makinave Toyota Motor Corp ka ndaluar shitjet dhe dërgesat e Yaris Ativ në Tajlandë, thanë zyrtarët e lartë të hënën, pasi filiali i tij Daihatsu manipuloi një pjesë të derës në testet e sigurisë nga përplasjet anësore.

Duke folur në një konferencë shtypi në Bangkok, drejtori ekzekutiv i Toyota për rajonin e Azisë, Masahiko Maeda, tha se problemi mund të ketë ndodhur për shkak të presionit gjatë zhvillimit të modelit Ativ, duke shtuar se automjetet që përdornin klientët ishin të sigurta.

Toyota deklaroi se ishte duke punuar me qeverinë tajlandeze për të rifilluar shitjet.

“Nëse zhvillimi do të ishte kryer në kushte të përshtatshme, ky lloj problemi sigurisht që nuk do të kishte ndodhur”, bëri të ditur Maeda, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

“Unë mendoj se fakti që kjo ndodhi, do të thotë se kishte një lloj presioni në fabrikën e zhvillimit”, tha ai, duke shtuar se madhësia relativisht e madhe e automjetit mund të ketë paraqitur një sfidë për Daihatsu, e cila është e specializuar në prodhimin e veturave të vogla.

Toyota dhe Daihatsu muajin e kaluar deklaruan se po hetonin se si një pjesë e derës në testet e sigurisë nga përplasjet anësore të kryera për rreth 88,000 makina të vogla ishte ndryshuar për qëllime të testimit të sigurisë në përplasje.

Kryetari i bordit të Toyota-s, Akio Toyoda tha se kishte vizituar fabrikën “Gateway” të kompanisë së tij në provincën Chachoengsao për herë të parë në një dekadë për të siguruar punëtorët, duke thënë se një arsye tjetër përse ai kishte vizituar kombin e Azisë Juglindore ishte sepse ai e donte popullin e atij vendi. /Telegrafi/