Telegrafi

Toyota Corolla e vitit 1993 e shoferit në Zelandë të Re ka kaluar 2 milionë kilometra – dhe nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq

Toyota Corolla e vitit 1993 e një njeriu të Zelandës së Re ka kaluar më shumë se dy milionë kilometra – dhe makina ende funksionon me efikasitet edhe sot e kësaj dite.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Graeme Hebley, 72 vjeç, vuri re se kishte arritur “pikën historike” në mars të këtij viti dhe beson se makina e tij – me ritmin e tanishëm – ka të ngjarë të funksionojë ‘përgjithmonë’.

Ai e bleu automjetin në vitin 2000 kur Corolla kishte vetëm 80,000 kilometra në odometër.

Hebley, i cili ka punuar si kontraktues i shpërndarjes së gazetave që nga viti 1968, e arriti kilometrazhin shpejt përmes punës së tij.

Ai udhëton me makinë nga Wellington në New Plymouth në ishullin verior të vendit dhe kthehet gjashtë ditë në javë për punë dhe duhen katër orë e 45 minuta për ta bërë atë udhëtim në një drejtim.

Kështu, Toyota Corolla e tij, e cila ka ende motorin dhe transmisionin origjinal, udhëton pothuajse 5000 kilometra çdo javë pune.

Për të mbajtur gjithçka nën kontroll, zoti Hebley kryen servisin e makinës së tij çdo dy javë.

Dhe mekaniku John Sherman konfirmoi rekordin, pasi është personi që i ka bërë kontrollin e veturës për disa vite.

Ai pretendoi se nuk kishte parë kurrë asgjë afër distancës që ka kaluar Corolla, duke kujtuar se më e afërta ishte një makinë që kishte bërë 700,000 kilometra.

Por Hebley është ende duke bërë udhëtimet e tij të gjata nëpër ishullin e Veriut të Zelandës së Re çdo javë, duke thënë se nuk ka në plan të ndalojë së shpejti. /Telegrafi/