Site icon Telegrafi

Tovërlanit nuk i lëkundet bankina

Numri një i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ka mohuar të ketë diçka të vërtetë nga këto që flitet. Sipas tij, dëshira e disa trajnerëve që të vijnë dhe të punojnë në Prishtinë, bën që të kemi këso thashetheme.

“Të gjithë trajnerët dëshirojnë të vijnë të punojnë tek ne. Sigurisht që Prishtina është e hapur për të gjithë, por sa i përket shtabit teknik të Prishtinës, ai është i paprekshëm dhe do të vazhdojë punën ashtu siç jemi marrë vesh”, tha presidenti Ejupi. Ai nuk ka dashur të zgjasë më shumë këtë temë, duke e mbyllur me fjalët se ato që fliten janë thashetheme dhe asgjë më shumë. Mbështetje të fuqishme Tovërlani ka marrë edhe nga anëtari tjetër i kryesisë, Ismet Begolli, ai ka thënë se Tovërlani mund të shkojë vetëm nëse kërkon të pensionohet.

“Tovërlani nëse mendon se i ka fituar të gjitha dhe se duhet të shkojë në pension është diçka tjetër. Ndryshe ai është trajner i Prishtinës dhe do të mbetet ashtu. Sigurisht që është presidenti që merr vendime, por ai e ka mbështetjen e plotë edhe të presidentit”, tha Begolli, duke shtuar se është e pakuptimtë si mund të largohet një trajner që i ka sjellë gjithçka klubit.

Dy humbje nga katër ndeshjet e para në sezonin e ri ka hapur thashëthemet se ai mund të shkarkohet. “Nuk mund të largohet aq lehtë një trajner që Prishtinës i ka sjellë tre trofe brenda një viti. Ai edhe në Gjermani shkëlqeu, kështu që për dy humbje është e pakuptimtë të flitet për këtë. Tekefundit Afrimi ka kontratë me ne dhe do të vazhdojë me të. Unë e pashë se u laku emri i Ramzi Krasniqit, kam respekt për të dhe Prishtina i ka dyert hapur për të gjithë, por trajner i Prishtinës mbetët Afrim Tovërlani”, tha Begolli.

Në anën tjetër i qetë në punën e tij është ndjerë edhe vetë Tovërlani. Ai ka pranuar se ka pasur një bisedë më kryetarin e klubit, nga i cili ka marr mbështetje të plotë. “Dikush dëshiron ta destabilizojë Prishtinën me thashetheme, por aty asgjë të vërtetë nuk ka. Unë klubin e kam marrë për shtigje të gjata dhe ju siguroj që FC Prishtina në qershor do të jetë në atë pozitë ku ishte qershorin e kaluar”, tha Tovërlani, i cili para 2-3 muajve arriti të thyejë gjitha rekordet e skuadrës, duke u cilësuar si trajneri më i suksesshëm i të gjitha kohëve.

“Dikush ka kritikuar rikthimin në ekip të disa futbollistëve të mëparshëm dhe kjo ka bërë që të hapen thashetheme. Por unë ju them se askënd s’e kam sjellë se kam jarani me të, por se kanë vlera”, përfundoi Tovërlani. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version