Të dielën me 7 prill, nga ora 15:00, në stadiumin e qytetit në Prishtinë, FC Prishtina pret Besën nga Peja. Kjo është përballja e tretë dhe e fundit me Besën. Prishtina ka një fitore dhe një barazim me skuadrën pejane.
Prishtina dhe Besa do të jetë përballja më interesante futbollistike e fundjavës në vend. Edhe pse Besa po thuajse është o dorëzuar praktikisht nga lufta për titull, ndërsa për Kupë është eliminuar, sërish vëmendja e futbolldashësve do të jetë te ky takim.
“Krahas Hajvalisë dhe Llamkos Kosovës e Ferronikelit edhe Besa është ndër skuadrat që më së shumti është përforcuar në pranverë”, ka konfirmuar në konferencë për shtyp, trajneri Afrim Tovërlani.
Pyetjes së gazetarëve se a mund të ndodh të përsëritet befasia e ndeshjes para një muaji, Tovërlani ka deklaruar: “Mund të ndodh gjithçka. Besa është ndër skuadrat më të mira në pranverë. Ndeshjes do t’i qasemi në mënyrën më serioze dhe më se të disiplinuar për të arritur deri te fitorja. Kësaj here shpresoj që të jemi më konkret në shfrytëzimin e rasteve, por duke mos e nënçmuar asnjëherë skuadrën pejane”, tha ndër të tjera Tovërlani. /Telegrafi/