Kalimi i Milot Rashicës dhe Alban Mehës nga Kombëtarja e Shqipërisë te Përfaqësuesja e Kosovës, ka ndezur një debat të ashpër mbarë shqiptar.
Rashica dhe Meha, vendosen të largohen nga Shqipëria, për të përfaqësuar në kualifikimet për botërorin Rusisë vendin e tyre, Kosovën, që në muajin maj është pranuar në UEFA dhe FIFA.
Këto dy kalime nga Shqipëria te Kosova, e që janë të parët, kanë ndezur një debat, ku nuk kanë munguar as fyerjet nga shqiptarët andej kufirit, ndërsa vendimi i tyre është vlerësuar lartë në Kosovë.
Në këtë temë tani është përfshirë edhe trajneri i Feronikelit, Afrim Toverlani, ku shkruan se ndihet krenar që në vitet e 90-ta dhe 2000-ta, ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Ai shton se do të ndihet krenar me Kosovën deri në amshim, ndërsa në fund ka një kërkesë, që ka të bëjë me Ballistin, personi që besohet që lëshoi dronin në ndeshjen Serbi – Shqipëri në Beograd, në tetor të vitit 2014.
“Ndihem krenar dhe i privilegjuar qe kisha rastin te luaj dhe jem kapiten i perfaqsueses se Kosoves ne vitet e 90-ta dhe fillim te 2000-tav, ani pse nuk ishim te pranuar ne Uefa-Fifa. Shume sakrifica dhe mundime janë bere deri sot kur jemi te pranuar nga shume gjenerata. Krenar me ty Kosove deri ne amshim ne “maloket e Kosoves” siq na thonin dhe na quajnë “vëllezërit” nga Shqipëria. Ps. A din dikush t’me tregoj ku është dhe çka po ndodhe me Ballistin qe e kualifikoj për here te pare Shqipëri ne evropian?”, ka shkruar Toverlani në Facebook, përcjell Lajmi.net.