Site icon Telegrafi

Tovërlani flet pas eliminimit të Feronikelit nga Ballkani

Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani ka folur pas ndeshjes së sotme gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit, e cila përfundoi me rezultat të barabartë 1:1.

Feronikeli synonte kalimin në finalë të Kupës pas një barazimi 0-0 si mysafir në Suharekë, por nuk shkoi gjithçka sipas planeve.

Ballkani arriti të kalojë i pari në epërsi dhe vështirësoi punën e Niklit, të cilët u eliminuan pasi nuk arritën më shumë se të barazojnë.

Lexo po ashtu Historike për Ballkanin, kalojnë në finale të Digitalb Kupës së Kosovës

“Kishim mungesa, sidomos në mesfushë. Ky ishte i gjithë kapaciteti ynë, e shfrytëzuam të gjithë arsenalin që e kishim”, ka thënë fillimisht Tovërlani për SuperSport Kosova pas ndeshjes.

“Me potencialin që e ka Ballkani sot, nuk mund të krahasohemi me ta. Tentuam ta shënonim edhe golin e dytë, por nuk ia dolëm. Ne e kemi lëshuar mundësinë e kualifikimit në ndeshjen e parë, kur nuk i shfrytëzuam rastet që i kishim”.

Pasi e lëshoi mundësinë e daljes në Evropë përmes Kupës së Koëovës, Tovërlani theksoi se Feronikeli tash do të fokusohet i tëri në Superligë.

Lexo po ashtu Munishi: Mund të përmirësohemi ende, por i lumtur me angazhimin dhe kalimin në finale

“Do t’i marrim ndeshjet një nga një. Sa i përket titullit, mendoj se jemi shumë larg. Do të shohim nëse gabojnë skuadrat tjera dhe të mundohemi ta shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet”, përfundoi trajneri prishtinas.

Ndryshe, në finale Ballkani do të luajë me Prishtinën që eliminoi Drenicën pas dy fitoreve. /Telegrafi/

Exit mobile version