Telegrafi

Toure i nervozuar, planifikon “ta blejë veten” nga City

Yaya Toure është i gatshëm ta paguajë dëmshpërblimin për vitin e fundit në kontratën e tij me Manchester Cityn.

The People raporton se mesfushori nuk është i kënaqur me hezitimin e klubit për t’i ofruar kontratë të re trevjeçare, ashtu që planifikon ta shfrytëzojë një klauzolë kundërthënëse në bazë të rregullave të FIFA-s që e bën atë lojtar të lirë në fund të sezonit.

Lojtari nga Bregu i Fildishtë aktualisht përfiton 230.000 funte në javë, afro 12 milionë funte në sezon, ndërsa agjenti i tij, Dimitri Seluk, ka llogaritur se mund ta largojë klientin e tij nga klubi për më pak se 10 milionë funte.

“Kam folur me Cityn për kontratën e re dhe ata më thanë të presim deri në dhjetor (2015). Bisedova në dhjetor dhe më thanë të pres deri në mars”.

“Tash thonë se Yaya duhet të presë deri në verë. Kjo është e papranueshme… Do të shkoj te FIFA. Do t’u shkruaj dhe do t’u them se do ta blejmë kontratën e Yayas”, është shprehur agjenti i lojtarit. /Telegrafi/