Site icon Telegrafi

Totti vendimtar në fitoren e Romës, Inter pëson (Video)

Roma fiton, ndërsa Inter ka pësuar humbje në xhiron e 34-të të Serie A.

Gjersa romakët triumfuan me Torinon 3:2, Inter pësoi si mysafirë i Genoas me rezultat 1:0.

Torinezët kaluan të parët në epërsi përmes penaltisë së realizuar në minutën e 35-të të takimit nga ana e Andrea Belottit.

Konstantinos Manolas barazoi rezultatin në të 66-të minutë me kokë pas një harkimi të saktë nga rivënia këndore e Diego Perrotit.

Torino sërish arriti të kaloi në epërsi dhjetë minuta para përfundimit të takimit përmes Joseph Martinez.

Francesco Totti barazoi rezultatin me tu futur në ndeshje në minutën 87-të të ballafaqimit, ndërsa kapiteni vulosi rezultatin përfundimtar dy minuta më vonë. Por, kësaj radhe Totti realizoi nga pika e bardhë, pasi paraprakisht, mbrojtësi torinez Nikola Maksimovic preki me dorë topin brenda zonës së rreptësisë, raporton Telegrafi.

Në anën tjetër edhe Interi ka pësuar humbje. Nerazurrët u mposhtën me rezultat minimal nga skuadra e Genoas me rezultat 1:0.

Ishte Sebastian De Mai, ai i cili shënoi golin e vetëm në këtë takim në të 77-të minutë të ballafaqimit.

Tani, Roma ka 68 pikë dhe pozicionohet në vendin e tretë, ndërsa skuadra e Interit 61 sosh dhe zë pozicionin e katërt të renditjes tabelore të ligës elitare italiane. /Telegrafi/

Exit mobile version