Ikona e Romës, Francesco Totti, akoma është duke u menduar nëse do ta vazhdojë karrierën e tij futbollistike apo do të pensionohet në fund të sezonit.
Sulmuesi italian po luan në Stadio Olimpico që nga viti 1992 dhe është i dyti në listën e golashënuesve më të mirë në Serie A.
Megjithatë, kontrata e 40-vjeçarit skadon në fund të sezonit aktual dhe presidenti James Pallotta ka bërë të ditur se atë e pret një kontratë gjashtëvjeçare si drejtor.
Sidoqoftë, Totti, i cili e ka fituar një titull të Serie A dhe dy të Kupës së Italisë me Romën, akoma i mban të hapura opsionet.
“Mund të jem pjesë e bordit të drejtorëve të Romës brenda një viti. Apo mund të jem akoma në fushë duke luajtur futboll”.
“Ose mund të bëhem një agjent duke u përpjekur ta gjej kampionin e ardhshëm. Kam një përvojë të mirë në botën e futbollit”, ka thënë Totti për Canale 5. /Telegrafi/