Site icon Telegrafi

Tottenhami vazhdon ndjekjen e titullit, Arsenali rrezikon kualifikimin në LK (Video)

Tottenham Hotspur ka fituar derbin londinez ndaj Arsenalit me rezultat 2-0, duke vazhduar ndjekjen e Chelseat në luftë për titull, ndërsa Topçinjtë me këtë humbje janë larguar edhe një hap nga Liga e Kampionëve.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte shumë e barabartë, me të dy skuadrat që më shumë luanin në të sigurt duke krijuar vetëm gjysmë-raste dhe kështu kjo pjesë përfundoi ashtu si nisi, pa gola.

Fitorja vlente shumë për të dy trajnerët, por në fund e mori vetëm Pochettino!

Në pjesën e dytë, vendasit u ngjallën dhe duke mos u pajtuar me barazim filluan të shpeshtojnë sulmet e tyre në drejtim të portës së Petr Cech.

Kjo rezultoi pozitive për skuadrën e Mauricio Pochettinos që gjeten golin në minutën e 55 me anë të lojtarit të talentuar anglez, Dele Alli, i cili u gjend mirë në zonë dhe shënoi nga afërsia për 1-0.

Festa e Dele Allit

Goli i dytë i Tottenhamit nuk vonoi shumë, pasi pas vetëm tre minutave ishte Harry Kane që shënoi nga pika e bardhë për 2-0, pasi më parë u pengua vet në zonë nga mbrojtësi Gabriel Paulista.

Grinta e Kane pas golit të shënuar

Në vazhdim të ndeshjes, Arsenali u mundua të krijoj diçka dhe të kthehet në lojë, por kjo nuk pati sukses pasi Tottenhami arriti të menaxhoj mirë lojën dhe në fund fituan me rezultat 2-0.

Kjo fitore e lenë në garë Tottenhamin që gjendet në vendin e dytë me 78 pikë apo vetëm katër më pak se lideri, Chelsea, ndërsa Arsenali do ta ketë shumë të vështirë kualifikimin në Ligën e Kampionëve pas kësaj humbje, pasi gjendet në vendin e gjashtë me 60 pikë apo gjashtë më pak se vendi i katërt. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=2E9a_M1mpF4

Exit mobile version