Telegrafi

Tottenhami luan në Ligën e Kampionëve

Ndeshja që nga fillimi ishte tejet e shpejtë me sulme si në njërën ashtu dhe në anën tjetër, por me një dominim të lehtë të Manchester Cityt në fillim. Vlen të përmendet shtylla pingule e qëlluar me kokë nga Peter Crouch, ashtu si goditja e fortë nga distanca e Adam Johnson. Sidoqoftë, në pjesën e parë portat mbetën të patundura.

Në pjesën e dytë, tempi u balancua, me Tottenhamin që i pati rastet më konkrete për shënim. Adebayor mund të konsiderohet dështim i mbrëmjes, pasi që nuk ishte aspak i gjallë në zonën e Tottenhamit.

Gjumin e thellë të sulmuesve të Manchester Cityt e shfrytëzoi njeriu i ndeshjes, Peter Crouch, që në rastin e tretë ideal shënoi për 1-0 dhe rezultatin përfundimtar pas një harkimi në zonë nga Kaboul (83’).

Manchester City ishte i pafuqishëm për të bërë diçka më tepër në këtë sfidë, duke ua dhënë mundësinë futbollistëve të Tottenhamit ta shijojnë Ligën e Kampionëve, pasi që me katër pikë më shumë se City një javë para fundit të Ligës Premier, Spursat edhe matematikisht e sigurojnë pozitën e katërt. /Telegrafi/