Nuk ka pasur befasi në ndeshjen ndërmjet Borussia Dortmundit dhe Tottenham Hotspurit, në sfidën kthyese të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
Skuadra angleze ishte dominuese në takimin e parë në stadiumin Wembley, ku fitoi me rezultat 3-0 dhe ishte favorit për të vazhduar tutje.
Mirëpo, Spursat arritën të fitojnë edhe në Signal Iduna Park (1-0), ashtu që u kualifikuan në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm prej 4-0.
Marco Reus, Julian Weigl dhe Jadon Sancho i patën rastet për nikoqirët në pjesën e parë, ndërsa për mysafirët rrezikoi Heung-Min Son. Sidoqoftë, skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.
Me të filluar pjesa e dytë, rezultati u zhbllokua. Moussa Sissoko dërgoi një pasim të mrekullueshëm në qendër, ndërsa Harry Kane e dërgoi topin në rrjetë (49′).
Në vazhdim, vendasit krijuan raste me anë të Christian Pulisic dhe Paco Alcacer, kurse Moussa Sissoko pati një mundësi për Spursat.
Sidoqoftë, asnjëra nga skuadrat nuk arriti të shënonte dhe në këtë mënyrë, Borussia Dortmundi u eliminua, kurse Tottenham Hotspur vazhdoi në çerekfinale. /Telegrafi/