Pas fitores ndaj West Ham Unitedit (3-2), Jose Mourinho ka thënë se Tottenham Hotspur është me fat që ka një trajner me aq përvojë në Ligën Premier.
Spursat e fituan derbin lokal në London Stadium që njëherësh shënoi edhe fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit të ri, i cili zuri vendin e Mauricio Pochettinos.
Tottenhami krijoi epërsi të trefishtë, mirëpo në vazhdim të ndeshjes i pranoi dy gola, ndërsa ish-trajneri i Chelseat dhe Manchester Unitedit beson se i takon një pjesë e meritave për fitoren e parë si mysafir të skuadrës së tij këtë sezon.
“Isha vërtetë i gëzuar derisa nuk i pranuam dy gola, po luanim mirë, i vunë në lojë gjërat që i kishim provuar në stërvitje. Ndërsa e patëm shansin që ta bënim 4-0 dhe ta përfundonim ndeshjen”.
“Jemi me fat që kam aq shumë vite në Ligën Premier, prandaj u thashë lojtarëve të mi në pushim: ‘Edhe nëse jemi 3-0 në minutën e 85-të, loja do të jetë akoma e hapur'”.
“Megjithatë, aty ishin edhe shumë faktorë. Emocionet e humbjes së trajnerit të mëparshëm, lojtarët që ktheheshin nga ekipet përfaqësuese dhe lodhja në 20 minutat e fundit”.
“Më e rëndësishme ishte fitorja, pa marrë parasysh si u arrit. Djemtë janë të gëzuar dhe këtë e donim në të vërtetë”, ka deklaruar Mourinho për BT Sport. /Telegrafi/