Telegrafi

Tottenhami eliminon Chelsean nga Carabao Cup pas gjuajtjeve të penalltive

Foto: FC Chelsea

Tottenhami ka kaluar në rrethin tjetër në Carabao Cup, pasi ka mposhtur Chelsean me anë të penalltive, derisa koha e rregullt përfundoi 1-1.

Pas vetëm 19-të minutash lojë në stadiumin e Spurs, The Blues kaluan në epërsi me golin e Timo Werner.

Chelsea mori edhe më shumë vetëbesim dhe arriti të krijonte edhe disa raste të tjera, mirëpo Olivier Giroud e sulmuesi gjerman i shpërdoruan ato.

Pjesa e dytë kishte një ritëm më të lartë, derisa Jose Mourinho kërkonte t’i barazonte shifrat kundër ish-skuadrës së tij.

Mirëpo, Frank Lampard nuk qëndroi duarkryq dhe futi në lojë, Emerson Palmierin, N’Golo Kante e Tammy Abrahamin, që soll freski në lojën e bluve.

Mirëpo, Special One ia arriti qëllimit duke i barazuar shifrat në 1-1 me anë të Eric Lamelas që shënoi në minutën e 83-të nga një asistim i Sergio Reguilon.

Koha e rregullt përfundoi me këtë rezultat, derisa në penallti më të saktë u treguan Tottenhami që fitoi 5-4, me Mason Mountin që dështoi ta mposhte Hugo Llorisin. /Telegrafi/