Site icon Telegrafi

Tottenhami afër marrëveshjes multi-milionëshe me Google për emrin e stadiumit

Tottenham është në bisedime me Google për një marrëveshje shumë milionëshe për të drejtat e emrit të stadiumit, raportojnë mediat në Angli.

Klubi i Londrës Veriore u zhvendos në stadiumin e ri, i cili u ndërtua tri vite e gjysmë më parë.

Në atë kohë, kryetari Daniel Levy shprehu interes për të siguruar një “marrëveshje për të drejtat e emrit” me “markën e duhur, me paratë e duhura”.

Megjithatë, një marrëveshje e tillë nuk është arritur dhe terreni aktualisht quhet “Tottenham Hotspur Stadium”.

Por, sipas The Athletic, Levy mund të ketë gjetur “markën e duhur” me Tottenhamin në bisedimet “domethënëse” me gjigantët e teknologjisë Google mbi të drejtat e emrit.

Google ka arritur një sërë partneritetesh sportive ndër vite. Kohët e fundit me ekipin e Formula 1 McLaren në një marrëveshje shumëvjeçare.

Google gjithashtu ka marrëveshje tregtare me NBA dhe MLB në Shtetet e Bashkuara.

Dhe aftësia e Stadiumit të Tottenham Hotspur për të pritur më shumë se vetëm ndeshjet e Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve është e dukshme.

Në fundjavë, terreni priti një ndeshje NFL midis Neë York Giants dhe Green Bay Packers.

Stadiumi me kapacitet 62,850 ka pritur gjithashtu finalen e Challenge Cup të Rugby League, luftën e parë të Anthony Joshuas për titullin botëror në peshën e rëndë ndaj Oleksandr Usyk dhe koncerte. /Telegrafi/

Exit mobile version