Real Madrid është mposhtur për herë të parë në këtë sezon në Ligën e Kampionëve, e cila vjen pas 30 ndeshjeve pa humbje në grupe.
Madrilenët u mposhtën si mysafirë të skuadrës angleze Tottenham Hotspurs me rezultat 3-1, ku shkëlqeu me dygolësh Dele Alli.
Londinezët gjatë gjithë ndeshjes treguan lojë të bukur, e cila u shpërblye me fitore që u siguroi kalimin e fazës së grupeve.
Golin e parë për të besuarit e Mauricio Pochetinos e shënoi super mesfushori me tipare sulmuese, Dele Alli.
Ky i fundit realizoi gol pas një pasimi të saktë të Tripper, i cili ishte në pozitë jashtë loje në momentin e pranimit të topit në të 27 minutë.
Edhe në pjesën e dytë vendasit realizuan sërish përmes Allit, i cili shënoi pas në solo aksioni dhe devijimit të topit nga Sergio Ramos.
Nuk kaluan nëntë minuta kur pas një sulmi mirë të organizuar të Spursave, Harry Kane pasoi saktë te danezi, Christian Erikssen, i cili realizoi golin e tretë për britanikët.
Dhjetë minuta para fundit të takimit, Cristiano Ronaldo shfrytëzoi hutinë e krijuar në radhët e mbrojtësve të vendasve dhe shënoi golin e gjashtë këtë sezon në këtë garë prestigjioze evropiane për klube.
Deri në fund të ndeshjes te dyja skuadrat patën edhe disa raste për shënim, por të cilat nuk u shfrytëzuan dhe kështu, ndeshja përfundoi 3-1 për Hotspurs.
Pas kësaj, Tottenham zë pozitën e parë të renditjes tabelore të grupit H me dhjetë pikë ndërsa Reali ka shtatë pikë dhe gjendet në vendin e dytë. /Telegrafi/
https://youtu.be/833xPvPdDGw?t=3
https://youtu.be/83kplLjk7lE
https://youtu.be/MK1QUXBp3KI?t=1