Site icon Telegrafi

Torturë fizike dhe psiqike ndaj Demë Shehut (Video)

Demë Shehu është rrahur dhe nuk vuan nga virusi në stomak. Avokati i mbrojtës Naser Raufi, e pranon këtë për ALSAT-M, pas vizitës që i bëri klientit të tij. Raufi tha se Demë Shehu është në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e torturës nga ana e policisë dhe gardianëve të burgut, gjatë sjelljes së tij të parafundit për në gjykatë, në seancën e 1 korrikut. Shehu është torturuar aq shumë saqë është dashur edhe ndërhyrja e ndihmës së shpejtë, për ta transferuar atë në qendrën më të afërt të urgjencës. Informacioni i dhënë paraprakisht nga ana e Gjykatës themelore, se arsye e shtyrjes së seancës së para tre ditëve ishte për shkak të një virusi stomaku te i dyshuari, ishte gënjeshtër e qartë.

“Unë isha informuar nga ana e gjykatës se është në pyetje virus, deri sot mendova se është virus i barkut, por sipas të arrestuarit Demë Shehu nuk ka të bëjë me virus, por është si pasojë e torturës pasi që ka kokëdhimbje, është i rrahur te koka dhe në shpinë që duket por është konstatuar edhe nga ana e mjekëve të ndihmës së shpejtë dhe definitivisht gjendja e tij është si pasojë e torurës që i është bërë herën e fundit gjatë transportit me helikopter të njësive speciale”, deklaroi avokati mbrojtës Naser Raufi.

Raufi shpreh shqetësimin ndaj Prokurorisë Themelore e cila vonon hetimin e rasteve të dhunës ndaj të akuzuarve të rastit të Kumanovës, pavarësisht ankesave që kanë bërë pala mbrojtëse dhe avokati i Popullit. Sipas Raufit, vetë MPB-ja nuk tregon interesim për hetimin e dhunës, sepse nuk dëshiron dënimin e pjesëtarëve të saj të policisë. Bojkotimi i seancës është zgjidhja e vetme për momentin- kërcënon Raufi.

“Rrugëndalja e vetme për këtë është që me të vërtetë të bojkotohet seanca, derisa të kemi garanci dhe derisa të dënohen këta që keqpërdorin pozitën e tyre, dhe të cilët kanë bartur deliktin e torturës i cili është delikt i rëndë nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe parashihet burg prej një deri në dhketë vjet burg”, tha Raufi.

Arjeta Shehu tregon se bashkëshorti i saj Demë Shehu, i ka rrëfyer jo vetëm torturën fizike por edhe atë psikike, me fyerje e sharje në bazë familjare e kombëtare. Ajo kërkon nga institucionet që të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre.

“Nuk e di si mund të trajtohet një i arrestuar në paraburgim, në atë gjedje të rëndë shëndetësore. Ju kisha lutur, vecanërisht Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës, nëse ka mundësi të merren masa më të sigurta dhe më të mira sepse bëhet fjalë për një jetë njeriu”, u shpreh bashkëshortja e Demë Shehut, Arjeta Shehu.

Pala mbrojtëse e të akuzuarve të rastit të Kumanovës, ngre akuza edhe ndaj Avokatit të Popullit, si neglizhent ndaj këtyre akteve. Nga ana tjetër, nga Avokati i Popullit e hedhin topin te Prokuroria dhe Policia. Përvec Demë Shehut, torturë është ushtruar edhe ndaj një tjetër të akuzuari, Andi Krasniqit. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=EAIy0GqjTeQ

Exit mobile version