12 ndeshje të zhvilluara, 5 fitore, po aq humbje dhe dy barazime, janë pak për një skuadër siç është Prishtina, kështu mendojnë edhe dy njohësit e mirë të Prishtinës, Jusut Tortoshi e Ajet Shoholli të cilët te skuadra “bardhekaltër” kaluan me vite të tëra. Por sipas tyre ndërrimi i gjeneratës ka bërë që starti të mos jetë i mirë.
“Është fakt që nuk ka start të mirë, por duhet me pasë parasysh se Prishtina ka bërë shumë ndryshime. Janë larguar shumë lojtarë të mirë, dhe kanë ardhur disa po ashtu të mirë, por komponimi nuk mund të bëhet brenda natës, ai lyp pak kohë. Për mendimin tim, futbollistët e rinj që janë te Prishtina, iu duhet kohë për adaptim. Ata po krijojnë shumë raste por nuk po shënojnë, çka dëshmon se iu mungon eksperienca”, tha Tortoshi.
“Në Prishtinë, ka njerëz shumë profesionalë, ata e kuptojnë gjendjen. Kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund dhe nuk bënë të presim se Prishtina mund ta kthejë lojën për këto katër ndeshje. Por, unë them se në pranverë do të shohim një Prishtinë krejt tjetër”, tha Jusuf Tortoshi.
Për trajnerin Ajet Shosholli, kjo situatë që po kalon Prishtina nuk është e mirë, madje sipas tij efikasiteti i vogël në ndeshjet si mysafirë, nuk përkon me imazhin e klubit.
“Prishtina është klubi ma me nam, unë kam qenë pjesë e Prishtinës ma shumë se 20 vite dhe kjo skuadër gjithmonë ka qenë aktuale si në kohën kur luanim në garat para lufte ashtu edhe tash pasluftës. Çdo detaj i Prishtinës përcillet dhe bëhet nam. Duhet të pranojmë që kjo situatë që po kalon nuk është e mirë, ka kohë, për të mos thënë nuk mbahet mend që Prishtina nga 6 ndeshje jashtë të ketë marrë vetëm 2 pikë. Por, Prishtina tash është duke bërë ndërrim gjenerate, dhe mini kriza është normale”, tha Shosholli.
Në anën tjetër sipas kapitenit të Prishtinës, Driton Krasniqi, i cili edhe më herët ishte pjesë e Prishtinës, “kjo skuadër nuk duhet të krahasohet me ato të pasluftës. Disa lojtarë të ardhur sipas tij ende nuk i kanë kuptuar kërkesat e Prishtinës, por që edhe ata shpejt do të adaptohen dhe do ta kthejnë Prishtinën aty ku e ka vendin.
Futbolli menjëherë pas lufte ishte shumë më i mirë. Interesimi ishte i madh dhe financiarisht ishte shumë më i mirë. Tash është ndryshe në përgjithësi futbolli po shkon më poshtë dhe kjo po ndikon”, tha Krasniqi, i cili për pozitën aktuale të Prishtinës, vlerëson se janë disa detaje që po ndikojnë.
“Ne po kemi probleme me ndeshjet jashtë. Futbollistët e rinj që kanë ardhur iu duhet kohë derisa të adaptohen më faktin se Prishtina çdo ndeshje hyn për fitore. T’ ju rikujtojmë se kanë shkuar 10 futbollistë, kanë ardhur 7 dhe kjo lyp pak kohë derisa të komponohet ekipi”, tha Driton Krasniqi. /Zëri/Telegrafi/