Site icon Telegrafi

TORTA

Tregim nga: Guy de Maupassant
Përktheu: Kristal Kotonika

Të themi se ajo quhej zonja Anserre, sepse nuk u zbulua asnjëherë emri i saj. Ajo ishte një nga ato yjet parisiene që lenë gjurmë, si gjurma e zjarrit. Shkruante poezi dhe novela, kishte zemër poete dhe ishte një bukuri të mrekullueshme. Në pritjet që shpesh organizonte, ftonte pak njerëz; vetëm persona të pozitave të larta nga ata që përgjithësisht mbartnin përcaktime të zanafillës për diçka të njohur, që kishin fituar një titull kushtetues, një titull të vërtetë intelektuali. Të paktën kështu vlerësoheshin të ftuarit e saj.

I shoqi përfaqësonte anën e errët të satelitit. Të jesh burri i një ylli si ajo, nuk është një gjë fort e këndshme. Por, ai kishte mendimin e tij: të krijonte një shtet brenda shtetit. Zotëronte meritat e veta personale, natyrisht merita të një shkalle sekondare, ishte e vërtetë, por në fund të fundit, në këtë mënyrë, në ditët në të cilat gruaja ftonte në pritje edhe ai ftonte e priste të tijtë. Kishte dhe ai të ftuarit e tij specialë që i vlerësonte, i dëgjonte dhe tregonte për ta më shumë vëmendje se sa për të shoqen e tij brilante.

Ai i ishte kushtuar agrikulturës, dhe bënte pjesë në Kabinetin e Bujqësisë. Të ngjashme me këtë janë kabinetet e gjeneralëve, në të cilat çfarë lind, jeton e vdes në zyrat e Ministrisë së Luftës.

Po të tjera veç tyre, a ka? Janë kabinetet e marinarëve në Ministrinë e Marinës, kabinetet e kolonizatorëve etj. Ai prandaj kishte studiuar agronomi, por kish studiuar në një mënyrë të thellë, në raport me shkenca të tjera, me ekonominë politike e me artet e bukura. Fjala “arte të bukura” tanimë përdorej në shumë fusha, prandaj mund të arrije të përcaktoje si “vepra arti” edhe ura të frikshme të hekurudhave. Në fund të fundit, ai kishte arritur deri aty sa për të thoshin: “Është njeri i madh”. Atë e citonin në Revistat Teknike; sipas gruas së tij ai kishte arritur të emërohej anëtar i një komisioni pranë Ministrisë së Bujqësisë.

Kjo aureolë modeste atij i mjaftonte. Me pretekstin e mos bërjes së shumë shpenzimeve, ai i ftonte miqtë e vet në shtëpi në të njëjtën ditë që i ftonte dhe gruaja miqtë e saj. Në këtë mënyrë miqtë përziheshin, por në fakt formonin dy grupe. Zonja, me eskortën e saj prej artistësh, akademikësh e ministrash, vendosej në një lloj galerie një si tunel të mobiluar e zbukuruar sipas stilit perandorak që njihej si Akademia. I shoqi tërhiqej zakonisht me agronomët e vet, në një dhomë të vogël që shërbente për të pirë duhan dhe që Zonja Anserre, e quante me ironi, “salloni i agronomëve”.

Të dy ambientet ishin të ndara nga njëri-tjetri. I shoqi ndërkohë, pa xhelozi, herë pas here shkonte në sallonin e Akademisë dhe shtrëngonte përzemërsisht duart me ta, por Akademia e përbuzte jashtë mase sallonin e agronomëve dhe ishte shumë e rrallë që një parim shkencor, ndonjë ide, apo diçka tjetër të diskutohej me agronomët.

Të ftuarit e të dy palëve e kalonin aty pa ndonjë shpenzim të madh: një çaj i shoqëruar me një copë tortë. Kjo ishte gjithçka.

I shoqi, kohë më parë porosiste dy torta, një për Akademinë e tjetra për agronomët, por zonja e shtëpisë, me të drejtë pati bërë vërejtje për këtë gjë, sepse nga një mënyrë veprimi e tillë do të krijohej përshtypja e qenies së dy palë të ftuarve apo të dy ndarjeve. I shoqi nuk e kishte kundërshtuar dhe kështu filloi të merrej vetëm një tortë. Kjo tortë, për kujdesin e Zonjës së shtëpisë, sillej në fillim tek Akademia dhe më pas dërgohej në sallën e bujqësisë.

Torta, shumë shpejt u bë për akademikët një objekt i vrojtimit kureshtar.

Zonja Anserre nuk e priste kurrë vetë tortën për ta ndarë. Kjo barrë i takonte të shoqit ose një personi tjetër të shquar nga të ftuarit. Kjo detyrë e veçantë që konsiderohej si një nder i madh dhe i preferuar, për të ftuarin zgjaste për një kohë shumë a pak të gjatë, nganjëherë deri në tre muaj dhe rrallë më shumë e konsiderohej si një privilegj i “prerjes së tortës”. I ftuari i preferuar për të prerë tortën ngjante si të ishte një i mbivlerësuar ndër të tjerët, si të ish superior ose më mirë një zëvendës sundues i veçantë. Prestari mbisundues, fliste me zë të lartë e me një ton komandimi të spikatur, madje të gjitha favoret e zonjës së shtëpisë i takonin atij, të gjitha. Cilido prej tyre, gjatë “mbretërimit” të shkurtër si prerës i tortës, demonstronte për bashkëshortin e zonjës një konsideratë të madhe deri në rënien e ziles kur thika do t’i jepej një tjetri dhe tanimë konfondohej rishtazi ajo marrëzia e admiruesve të “bukuroshes, zonjës Anserre”.

Por, kjo do të vazhdonte për një kohë, sepse kometat nuk shkëlqejnë gjatë e përngaherë me dritën e tyre, vjen një moment që shuhen. Gjithçka në botë plaket. Filloi të flitej se zelli e dëshira për të fituar të drejtën e prerjes së tortës, pak nga pak po dobësohej. Ndonjëherë dukej sikur ishin të lëkundur për ta pranuar detyrën dhe kjo vihej re se sa pa qejf e merrnin pjatancën e tortës për ta ndarë. Kjo detyrë, një herë e një kohë shumë për të pasur zili, u bë pak e kërkuar. Zonja Anserre bënte gjithçka, ishte tepër dorë lëshuar e mundohej që t’u shërbente e të tregohej e mirësjellë. Eh! Tortën nuk e ndanin më me qejf. Të ftuarit e rinj ngjanin si refuzues. ’Të favorizuarit veteranë” rishfaqeshin si parimorë të rënë nga froni, që për një kohë kishin pasur fuqinë. Ata më të zgjedhurit, elitët, e bënin rrallë, shumë rrallë këtë detyrë. Gati për rreth një muaj tortën e ndau vetë zoti Anserre. Më pas kish pamjen e një qeni të lodhur dhe një mbrëmje u shfaq vetë zonja Anserre, e bukura Anserre, që të ndante vetë ajo ëmbëlsirën e përgatitur.

Por, kjo gjë me sa dukej i shkaktonte mërzi dhe ditën e më pasme të dhënies së pritjes për të ftuarit, ajo iu lut shumë njërit prej të ftuarve, por ai nuk pranoi. Kjo shenjë simbolike tashmë ishte shenjë e dukshme, prerja e tortës nuk ishte më asgjë dhe gjithë privilegjet e këtij favori që më parë kishin dhënë gjithnjë mbarësi, tashmë të kallnin frikën. Porsa paraqitej torta, akademikët vraponin me ngut e në rrëmujë për në sallonin e bujqësisë për t’u vënë në mbrojtje të të shoqit që vazhdimisht qeshte. Dhe, kur zonja Anserre, e shqetësuar paraqitej tek porta me tortën në një dorë e me thikën në tjetrën, gati që të gjithë rreshtoheshin përqark të shoqit si për të kërkuar përkrahje.

Kaluan vite. Nuk kishte më asnjë që të priste tortën, ndonëse, për efekt të zakonit të vjetër të rrënjosur thellë, ata që vinin si të ftuar e quanin të dashur “zonjën e bukur Anserre” por, kur ajo kërkonte me sy një të devotshëm që të merrte thikën, për rreth saj vihej re e njëjta lëvizje, një ikje e përgjithshme e zhdërvjellët, plot manovrime e me gjithfarë mënyrash për të evituar ofertën që qëndronte në maj ë të buzëve të saj.

Dhe ja, një mbrëmje në pritje u paraqit një i ri, i pa djallëzuar e që nuk dinte asgjë. Nuk e njihte misterin e tortës. Kur ajo u shfaq dhe kur të gjithë ishin zhdukur, atëherë zonja Anserre mori ndër duar për të servirur pjatën me ëmbëlsirën, iu drejtua atij, i cili qëndroi pranë saj krejt i qetë.

Ajo besonte se edhe ai e dinte, i qeshi dhe me një zë të ngashëryer:

– Dëshironi – i tha – i dashur zotëri, dëshironi të jeni shumë i mirësjellje dhe të prisni këtë tortë?

Ai u ngut, hoqi do rezat, i lumtur e i nderuar.

– Po, sigurisht zonjë, me shumë kënaqësi.

Ndërkohë, në qoshet e galerisë dhe në portën e hapur të sallonit të bujqësisë, grumbuj të ftuarish me fytyra të habitura, vrojtonin. Mandej, kur panë se i riu i porsa ardhur nuk hezitoi të ndante tortën, u afruan përsëri. Një poet i vjetër, hokatar, e përgëzoi duke i rënë në shpatull.

– Të lumtë djalosh – i pëshpëriti në vesh.

Djaloshi e pa me kërshëri. Vetë i shoqi i zonjës së shtëpisë dukej i habitur. Djaloshi nga ana e vet ishte fort i çuditur nga konsiderata që kishte fituar dhe nuk e kuptonte se ç’po ndodhte me xhentilencën e spikatur, mirësjelljen e dukshme dhe mënyrën e vlerësimit që i bëri e zonja e shtëpisë.

Megjithatë edhe ai e kuptoi. Në çfarë momenti, në çfarë rrethana e bëri këtë zbulim?

Kjo nuk dihej. Por, mbrëmjen e më pastajme, kur u paraqit, kish një pamje prej të preokupuari, pothuajse të ndrojtur dhe vështronte rreth e qark vetes me shqetësim. Ora e çajit ra. Kamerieri u paraqit me pjatën ndër duar. Zonja Anserre, e qeshur, kapi pjatën dhe kërkoi me sy mikun e ri, por ky ishte larguar me shpejtësi e nuk gjendej në sallë. Atëherë ajo nisi ta kërkojë dhe e gjeti në fund te sallonit të agronomëve, me krahun e vet të vënë nën atë të të shoqit të zonjës së shtëpisë; ai konsultohej me zotin Anserre mbi metodat që përdoreshin për të luftuar filokserën.

– I dashur zotëri – i tha ajo- do të dëshironit të ishit aq i sjellshëm për të prerë këtë tortë?

Djaloshi i skuqur deri tek veshët, belbëzoi, e humbi toruan e nuk u mor vesh se ç’ tha.

Atëherë zoti Anserre, pati mëshirë për të e duke u kthyer nga e shoqja:

– E dashura ime – i tha – ti do të jesh me të vërtet xhentile nëse nuk na shqetëson. Ne jemi duke folur për agrikulturën. Jepja shërbëtorit – Battistes – ta presë tortën tënde.

Që nga ajo ditë askush nuk e preu më tortën e zonjës Anserre.

Exit mobile version