Mesfushori i Arsenalit, Lucas Torreira është në pritje të një rikthimi në Itali, pretendojnë mediat e këtij vendi.
Sipas mediumit italian Calciomercato.com, 23-vjeçari është lutur që drejtuesit e Arsenalit të shqyrtojnë me kujdes ofertat në lidhje me shërbimet e tij.
Italianët e Milanit thuhet se janë në krye të listës së kërkuesve të mundshëm, pasi ata përpiqen të forcojnë ekipin për të tentuar siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Rossonerët gjithashtu po konsiderojnë edhe transferimin e shqiptarit Granit Xhaka nëse Torreira nuk është në dispozicion.
Pavarësisht se ka filluar kundër Wolves dhe Leicester, Torreira është zëvendësuar në të dyja rastet dhe nuk është titullar fiks.
Ish-mesfushori i Sampdorias është shprehur i irrituar me mungesën e kohës së lojës gjatë periudhës nën drejtimin e Unai Emeryt. /Telegrafi/