Këtë rregull do ta thyejnë për të dytën herë tifozët mitrovicas, ‘Torcida’. Përfaqësuesi i këtij grupi të tifozëve, Adnan Musa, thekson se tifozët e Trepçës do ta thyejnë këtë rregull të FBK-së qysh në ndeshjen ndaj Pejës, pasi që u kanë siguruar biletat tifozëve mysafir.
“Ne u kemi siguruar biletat tifozëve të Pejës, dhe u premtoj të gjitha tifozërive tjera që do t’iu sigurojmë bileta për ta parë skuadrën e tyre, kur Trepça luan vendës”, ka thënë Musa.
Më tej ai konfirmoi se ‘Torcida’ nuk do të ndalet së vepruari kundër FBK-së, derisa të arrijnë qëllimin e tyre.
“Ne nuk do të ndalemi me kaq. Do të bëjmë gjithçka që FBK-ja të heqë këtë rregull e cila është e pakuptimtë. Do të vazhdojmë me iniciativa derisa ta arrijmë qëllimin tonë. Ne nuk po kërkojmë shumë, thjeshtë të na mundësohet ta ndjekim skuadrën tonë në çdo vend. Sporti luhet për shikues, ndërsa FBK-ja nuk na lejon që të hyjmë në palestër. Kjo është katastrofë”, ka deklaruar i mllefosur Musa për Orainfo. /Telegrafi/