Telegrafi

Topi takohet me të dërguarin evropian Mirel

“Kjo është një ngjarje historike për popullin shqiptar, një kulminim i suksesshëm i të gjitha sakrificave dhe përpjekjeve të tij në vite për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane, e vlerave dhe standardeve demokratike të shoqërive të këtij Bashkimi”, tha presidenti Topi duke vlerësuar liberalizimin e vizave për Shqipërinë.

Zoti Topi komentoi gjithashtu raportin e progresit për Shqipërinë duke thënë se “duke parë edhe detyrat e përgjegjësitë që na shtron përpara ky Raport vjetor i Përparimit, të gjitha institucionet dhe klasa politike duhet të jenë të vetëdijshme për të punuar me seriozitet dhe përkushtim maksimal që të përballojnë me sukses këto sfida në dobi të zhvillimit dhe të së ardhmes evropiane të popullit shqiptar”.

Ndërkohë, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në KE, Pierre Mirel, tha se “ky Raport Përparimi duhet të shërbejë si një zile për zgjim” dhe nënvizoi rolin moderator të Presidentit si garantues i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi duke promovuar konsensusin dhe rivendosjen e dialogut normal politik. /Telegrafi/