Telegrafi

Topi nderon ushtarët dhe civilët britanikë të rënë gjatë luftës

Në këtë ceremoni të përvitshme të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ishin të pranishëm ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, Genc Pollo, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj, përfaqësues të Trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, atashe ushtarakë dhe personalitete nga fusha të ndryshme e drejtues organizatash joqeveritare si dhe shumë qytetarë.

Pas shërbesës fetare dhe mbajtjes së dy minutave heshtje, presidenti Topi u përul me respekt para memorialit të 46 ushtarëve britanikë të rënë në Shqipëri gjatë periudhës 1939-1945 dhe nderoi kujtimin e ushtarëve dhe civilëve britanikë, si dhe sakrificat e vetëmohimin e tyre gjatë luftërave të ndryshme, duke vendosur një kurorë me lulëkuqe, simbolin e Ditës së Kujtesës. /Telegrafi/