Site icon Telegrafi

Topi: Ndajmë dhimbjen me popullin turk

Kryetari i Frymës së Re Demokratike (FRD), Bamir Topi shprehu keqardhje të thellë për sulmet terroriste në Stamboll.

“Ndajmë dhimbjen me popullin turk për ngjarjen tragjike të Stambollit. Terrorizmi mbetet sot rreziku më i madh për shoqëritë dhe stabilitetin e vendeve”, deklaroi ish-Presidenti i Republikës.

Aeroporti “Ataturk” i Stambollit u trondit të martën nga dy shpërthime të njëpasnjëshme, ku kanë humbur jetën të paktën 36 persona, ndërsa kanë mbetur të plagosur qindra të tjerë. Guvernatori i Stambollit tha se tre kamikazë në bashkëpunim mes tyre kanë kryer sulmin.

Dy ishin të pajisur me lëndë eksplozive dhe u hodhën në erë, ndërsa i treti ka shtënë me kallashnikovë në parkimin e aeroportit si një taktikë e njohur për të shpërqendruar vëmendjen e policisë.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë ambulancat. Stambolli është blinduar nga siguria e lartë. Fluturimet në terminal janë pezulluar. Aeroporti është i treti më i madh në Turqi dhe sulmet kanë ndodhur në një periudhë kur fluksi i lëvizjeve është tepër i lartë. Sipas analistëve, “Ataturku” ka qenë një objektiv vulnerabel ndaj sulmeve të tilla.

Turqia është gjunjëzuar disa herë nga sulme të tilla, pasi është pjesë e fushatës së bombardimeve ajrore kundër ISIS, ndërsa vuan edhe luftën me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Në muajin mars, të paktën 37 persona mbetën të vrarë ndërsa një makinë bombë shpërtheu pranë një stacion autobusi në Ankara, një sulm që mbante vulën e militanteve kurd. /Telegrafi/

Exit mobile version