Site icon Telegrafi

Topi: Më 21 janar nuk duhej të derdhej gjak

Presidenti Topi në emër të qytetarëve të Shqipërisë kërkoi angazhimin, përkushtimin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes së 21 janarit.

Sipas tij në një vend demokratik shkelja e ligjit dënohet dhe shkelësit e tij, cilët do qofshin ata ndëshkohen. “21 janari errësoi shoqërinë dhe demokracinë shqiptare, prandaj kërkesa për ta zbardhur dhe nevoja për transparencë ligjore të saj është përparësi e shtetit, drejtësisë, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve të rendit e ruajtjes së tij. Por transparenca e shpejtë kërkon një bashkëpunim dhe respekt reciprok të të gjitha këtyre hallkave, qartësisht të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Topi.

Ai në emër të Kushtetutës dhe të ligjit kërkoi bashkëpunimin e menjëhershëm, të pakushtëzuar e profesional të këtyre strukturave për të bërë transparencën dhe lehtësuar gjykimin e pavarur të shkaqeve dhe pasojave të kësaj dite të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Topi më tej shprehu shqetësimin për mungesën e deritanishme të komunikimit dhe të dialogut politik mes dy forcave kryesore politike.

“Jam shumë i bindur se të gjithë e duam Shqipërinë më të mirë, më të bukur, më të qetë dhe më të begatë. Si një atdhe ku dashurohet e tashmja dhe besohet në të ardhmen, si një familje ku respekti dhe nderi mishërojnë themelet e saj, si një tokë ku historia ka brezuar trimërinë dhe krenarinë e kombit, si një shoqëri ku kodet e vlerës, moralit dhe ndershmërisë kthehen në mit, si një demokraci ku çdo njeri është i lirë dhe ku liria është e shenjtë, si një shtet ku qytetarët dhe shtetarët janë të barabartë përpara drejtësisë dhe ligjit”, thuhet në mesazhin e presidentit Topi.

Më tej, Topi vlerësoi “…Por jam më shumë i bindur se kjo Shqipëri bëhet ashtu si ne e duam, vetëm po të qëndrojmë të bashkuar në këtë qëllim, vetëm po të dëgjojmë me urtësi e mençuri njëri-tjetrin, vetëm po të pranojmë e respektojmë dallimet tona dhe mbi të gjitha vetëm në se politika vihet në shërbim të qytetarëve. Në të kundërtën do të rrëzohemi, do të mbetemi mbrapa dhe Shqipëria demokratike, e lirë dhe evropiane do të vazhdojë të mbetet një ëndërr e paralizuar për qytetarët ndërsa një kalë-beteje i pashtershëm për politikanët”.

Presidenti i Shqipërisë vlerësoi se 21 janari nuk duhet të ndodhte në Shqipërinë e shekullit të XXI. “Më 21 janar nuk duhet të derdhej gjak shqiptari. Më 21 janar nuk duhet të kishte viktima, as edhe të plagosur dhe të dhunuar! Më 21 janar nuk duhej të kishte lot të nënave, grave, fëmijëve dhe fytyra pa shpresë për të ardhmen! Më 21 janar nuk duhej të kishte sulme ndaj institucioneve e as dhunim të ruajtësve të tyre! Më 21 janar nuk duhej të shkelej ligji! Më 21 janar u shkel rëndë ligji”, tha ndër të tjera, presidenti Topi. /Telegrafi/

Exit mobile version