Site icon Telegrafi

Topalli: Shpresojmë që në muajin mars të fillojë kompensimi i dëmeve nga vërshimet për banorët e Fushë Kosovës

Foto: Ilustrim

Fushë Kosova është njëra nga komunat që është përfshirë nga vërshimet pas reshjeve të shiut dhe borës, ku si pasojë u shkaktuan shumë dëme në infrastrukturë rrugore, vetura, kultura bujqësore, banesa dhe shtëpi banimi.

Lidhur me kompensimin e këtyre dëmeve, kjo komunë thotë se shpreson që nga muaji mars do të fillojnë me pagesat.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli tha për Telegrafin se janë duke pritur raportin final nga komisionet e krijuara, e që janë duke bërë vlerësimin e dëmeve.

“Ne kemi të formuara pesë komisione të cilat merren me vlerësimin e dëmeve në të gjithë territorin e Komunës së Fushë Kosovës. Këto komisione janë në terren dhe janë duke bërë vlerësimin dhe janë gati për ta bërë versionin final”, tha Topalli.

Ai ka treguar se qytetarët e prekur nga vërshimet nga sot mund të bëjnë kërkesë në këtë komunë që të vlerësohen dhe kompensohen dëmet.

“Një çështje tjetër që iu kemi dalë në ndihmë atyre që janë të goditur nga vërshimet është mundësia që nga sot, të gjithë atyre që iu është shkaktuar dëme, përmes incizimeve dhe fotografive të ndryshme, me një kërkesë i drejtohen komunës dhe pastaj, komisioni përkatës i vlerëson ato dhe vjen deri te kompensimi”, tregoi ai.

Lexo po ashtu Ibrahimi: Procesi i vlerësimit të dëmeve nga ana e komunave ka filluar, jemi në pritje të raporteve përfundimtare

Topalli u shpreh se presin që nga muaji mars të fillojë kompensimi i dëmeve.

“Deri më tani buxheti është i mbyllur, pra deri sa të hapet buxheti, ne nuk mund të bëjmë asgjë dhe po presim që në pjesën fundit të muajit shkurt ose në fillim të muajit mars, pra, po shpresojmë që në muajin mars. Sa të sigurohen ato mjete për pagesë, pasi janë të mbyllura nga muaji nëntor [vitit paraprak] deri në fund të muajit shkurt. Të gjitha dëmet që janë shkaktuar, duke pasur parasysh ato ekonomike, automjetet, shtëpitë, inventari, enterieri, etj”, përfundoi Topalli.

Po ashtu, ditë më parë, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti kishte njoftuar se do të formojnë Fondin Emergjent për vërshimet.

Gjatë një takimi online me kryetarët e komunave të Kosovës, Hoti ka kërkuar nga ata që të evidentojnë të gjitha dëmet që kanë nga vërshimet dhe të parashtrojnë kërkesat për ndihmë.

“Unë me disa prej jush kam biseduar dhe në disa vende kam qenë në terren për ta parë gjendjen për së afërmi. Kemi pasur fat që nuk e kemi pësuar asnjë rast me fatalitet si pasojë e këtyre vërshimeve. Kam parë që ka dëme të konsiderueshme në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore. Unë kërkoj nga ju që t’i evidentoni problemet që keni dhe të komunikoni me Ministrinë e Mbrojtje, për t’iu ndihmuar FSK-ja në vendosjen e urave aty ku ka nevojë dhe gjëra të tjera”, kishte thënë Hoti.

Në mesin e shumë komunave që janë prekur rëndë nga vërshimet është Drenasi, Malisheva, Gjakova, Kamenica dhe Vushtrria. /Telegrafi/

Exit mobile version